Prishtinë, 1 tetor, NOA - Kosova nuk ka as infrastrukturën dhe as mundësitë e duhura të "thithjes" së një numri aq të madh të refugjatëve të kthyer.
Një fakt i tillë pohohet nga Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Lirive të Njeriut, organizëm ky i cili ka kundërshtuar kthimin e refugjatëve kosovarë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas KMDLNJ, situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është totalisht në kundërshtim me mundësitë e pranimit të një numri aq të madh të refugjatëve.
"Papunësia e madhe dhe varfëria e skajshme nuk krijojnë mjedis të përshtatshëm për një kthim të qëndrueshëm të refugjatëve dhe integrimin e tyre në shoqëri. Në këtë mozaik të varfërisë dhe papunësisë, refugjatët romë janë më situatë specifike sepse romët edhe ashtu jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira në Kosovë", thuhet në deklaratën e posaçme të KMDLNJ-së.
Gjermania është shteti i parë nga po nis zbatimi i një marrëveshje riatdhesimi me Kosovën, por mësohet se Kosova ka nënshkruar si ajo edhe me shtete të tjera perëndimore, nga të cilat pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme qytetarë të tjerë të saj.
Pavarësisht problemeve që mund t'i shkaktojë ky proces, autoritetet kosovare pohojnë se qeveria e Kosovës do të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesimin e kosovarëve edhe me Norvegjinë, Belgjikën dhe Zvicrën.
n.e/NOA