English

PS: Berisha strehon Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve duke e punësuar si ministër

Tiranë, 1 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i ka kërkuar prokurorisë të depozitojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut.

"Sjell sot në vëmendjen e opinionit publik tragjedinë e dyfishtë të të gjithë atyre që një herë u goditën nga shpërthimi korruptiv shtetëror i Gërdecit, dhe një herë tjetër janë goditur nga mohimi i drejtësisë në dyert e një sistemi që çalon dukshëm.

Tragjedia e Gërdecit nuk është një ngjarje e arkivuar në librat e historisë, por përkundrazi, është një ngjarje aktuale, pasojat e të cilës nuk i vuajnë vetëm ata që kanë humbur fëmijët, prindërit, familjarët apo pasurinë, por i vuajnë të gjithë shqiptarët e ndershëm" deklaroi Tahiri.

Sipas Tahirit, tragjedia e Gërdecit është simboli më elokuent që dëshmon se si shteti mund të shfrytëzojë deri në vdekje fëmijë, gra, burra e të moshuar.

Sesi qeveria, nga Kryeministri e deri të Ministri më i fundit, mund të korruptohet deri në vrasje.

Sesi aparati administrativ që mbahet me taksat e qytetarëve, mund të kthehet në makinerinë e shërbimit për sipërmarrjen më mizore e mafioze.

Sesi drejtësia, për paaftësi a korrupsion, mund të kthehet nga një instrument për të dhënë drejtësi në një pretekst për të mbrojtur fajtorët.

"Sali Berisha strehon Fatmir Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, duke e punësuar për Ministër, ndërkohë që edhe sipërmarrësi më i vogël i Republikës, një person me të tillë akuzë, nuk do e kishte punësuar as për kamerier. Familjarët e viktimave të gërdecit, pasi e paguan një herë me çmimin e vdekjes tragjedinë e Gërdecit, tashmë me taksat e tyre i paguajnë edhe rrogën Fatmir Mediut, atij që Sali Berisha e imponoi si Ministër.

I bëjmë thirrje Sali Berishës të shpreh qartë, pa ekuivokë dhe larg çdo deklarate demagogjike, gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e Ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë.

I bëjmë thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë Vendimin për Pushimin e Çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxisim me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit" përfundoi Tahiri.

k.k/NOA

Â

KOMENTE