English

Shtrohen në Urgjencë 60 gjimnazistë të një shkolle, dyshohen për helmim

Prishtinë, 1 tetor NOA-Rreth 60 nxënës të gjimnazit "Hivzi Sulejmani" në Fushë Kosovë mendohet të jenë helmuar e për pasojë ata janë dërguar urgjent në Qendrën e Urgjencës në Prishtinë.

Të gjithë nxënësit janë të moshës 14-16 vjeç, dhe të gjitha janë femra.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Urgjencës, Jusuf Ulaj, konfirmoi se më shumë se 50 nxënës janë sjell vetëm sot në Qendrën Infektive.

"Ata kanë të njëjtat simptoma, kanë probleme me frymëmarrje, shtrëngime në bark". Të helmuarve u është marrë gjaku për analiza.

Kurse Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se inspektorët e saj kanë shkuar në shkollë dhe po marrin mostrat.

Nxënësit e sëmurë i ka vizituar dhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.

Ai bëri të ditur se tashmë është formuar një këshill i mjekëve, i cili pritet që brenda 3-4 orëve të dalë me një konstatim se për çfarë bëhet fjalë. Analizat toksikologjike, sipas Gashit, do të dërgohen edhe jashtë vendit, për të vërtetuar llojin e helmimit.

Një natë më herët, 18 nxënës të kësaj shkolle, janë shtruar në Klinikën Infektive, me simptoma të njëjta, të helmimit nga ajri. Nxënësit kanë deklaruar se kanë ndier në klasa një aromë të pakëndshme, pak çaste para se t'u shfaqen problemet me frymëmarrje dhe shtrëngimet në bark.

Ndërkohë ai ka urdhëruar Inspektoriatin  sanitar që të bëjë një inspektim në shkollën "Hivzi Sylejmani" dhe në shkollat e tjera të Fushë-Kosovës.

KOMENTE