Tiranë, 1 tetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kryetarin e Bashkisë së Torinos, Serxho Kiamparino, duke zhvilluar një bisedë miqësore me të dhe me delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, në përbërje të të cilit ishin edhe rektorë, dekanë dhe profesorë të Universitetit të Torinos.
ë këtë takim, Kryetari i Shtetit nënvizoi rëndësinë e veçantë që mbart bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe strukturave përkatëse të tij dhe vuri në dukje se përvoja e autoriteteve vendore të një rajoni kaq të zhvilluar si Piemonti, është një referencë pozitive, me interes dhe një kontribut e ndihmesë për strukturat e pushtetit tonë vendor në ushtrimin e kompetencave të tyre dhe realizimin e reformave të rëndësishme.
Gjithashtu Topi u ndal në rëndësinë e vijimit të hartimit dhe të zbatimit të planeve konkrete të bashkëpunimit në fusha të caktuara si ajo e industrisë, turizmit, arsimit, etj. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi angazhimin e tij në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Universiteteve Politeknik dhe atij të Studimeve të Torinos dhe Universitetit të Tiranës, Fakulteteve të Mjekësisë Veterinare të Torinos dhe atij të Kamzës.
ë vijim të bisedës, Presidenti i Republikës vuri në dukje dhe një herë mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bizneset prestigjioze të huaja, ndërkohë që për investitorët italianë ajo ofron një seri faktorësh nxitës e tërheqës siç janë: afërsia gjeografike, ajo shpirtërore, ekzistenca e një bashkësie të shumtë, të konsoliduar dhe plotësisht të integruar shqiptare në Itali dhe sidomos në Piemont, kuadri ligjor favorizues, politikat lehtësuese fiskale, klima e bashkëpunimit dhe ndjenja e ndërsjellë e besimit dhe e sigurisë, njohja e gjuhës italiane prej një pjese të mirë të popullsisë shqiptare, etj.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi shprehu besimin se bashkëpunimi dhe investimet dhe ndërmarrjet italiane në Shqipëri do të vijojnë me të njëjtin intensitet dhe cilësi, duke zgjeruar më tej fushën e veprimtarisë së tyre. Kryetari i Bashkisë së Torinos vlerësoi lart lidhjet e hershme historike dhe ndjenjat e miqësisë dhe të bashkëpunimit të frytshëm, të cilat përbëjnë një bazë të konsoliduar për rritjen e bashkëpunimit dhe mundësive të investimeve nga Piemonti jo vetëm në nivel vendor, por edhe më gjerë, në të gjitha fushat si shkëmbimet ekonomike-tregtare, turizmi, shëndetësia, arsimi, shkenca dhe kërkimet shkencore.
Në këtë kuadër Kiamparino theksoi rëndësinë e projekteve konkrete të bashkëpunimit mes Dhomave reciproke të Tregtisë, mes Universiteteve përkatës për krijimin e shtresë të ardhshme studentësh dhe shkencëtarësh shqiptarë, të cilët ndërkohë po shkollohen në Torino, mes sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptare, mes strukturave të pushtetit vendor, etj.
k.k/NOA