Tiranë, 1 tetor NOA - Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka lëshuar sot një urdhër me anë të së cilës i kërkon Universitetit të Vlorës, "Ismail Qemali" në lëshojë diplomat për juristët.
E ndërsa gjendja shëndetësore e studentëve të cilët prej katër ditësh ndodhen në grevë urie për shkak të diplomave, është keqësuar ditën e sotme, ministri i Arsimit ka lëshuar një urdhër që pritet të nxjerrë nga greva 11 studentët e degës së Juridikut në Vlorë.
Prej katër ditësh, 11 studentë të degës së Juridikut ndodhen në ambientet e fakultetit dhe për të protestuar me grevë urine ndaj vendimit të rektoratit që vendosi që studentët nën notën 6 të mos pajisen me diploma me titullin "Jurist", por me një diplomë të thjeshtë.
Ndërkohë që sot ka reaguar dhe ministri i Arsimit, Tafaj i cili iu referua ligjit 9741 datë 21. 05. 2007 për arsimin e lartë në Shqipëri i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar.
"Studimet katër vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diplomat e sistemit të vjetër në bazë të nenit 89 të ligjit të mësipërm këto diploma janë ekuivalente me "diplomat e integruara të nivelit të dytë" thuhej në urdhrin e Tafajt.
k.k/NOA
Më poshtë do të lexoni shkresën e plotë të Ministrit, Myqerem Tafaj:
Dt. 1 tetor 2009
Për formën e diplomave të studimeve 4 vjeçare
Drejtuar Rektorit të Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali" Tanush Shaska
Në bazë të nenit 88 ligji 9741 datë 21 05 2007 për arsimin e lartë në Shqipëri i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar.
Studimet katër vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diplomat e sistemit të vjetër në bazë të nenit 89 të ligjit të mësipërm këto diploma janë ekuivalente me "diplomat e integruara të nivelit të dytë" (DIND).
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj