Prishtinë, 2 tetor, NOA - Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi, ka përfunduar vizitën zyrtare në Finlandë, gjatë së cilës është takuar edhe me ish-presidentin finlandez, Marti Ahtisaari.
Mësohet se gjatë këtij takimi, ish-udhëheqësi i ekipit negociues ndërkombëtar për statusin e Kosovës, ka shfaqur bindjen se në të ardhmen pavarësinë e Kosovës do ta njohin edhe shumë shtete të tjera.
"Kosova dhe Finlanda bashkë me miqtë e tyre strategjikë, duhet të angazhohen në mënyrë më të vendosur e të koordinuar në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës", mësohet të ketë thënë ndër të tjera Ahtisaari para delegacionit parlamentar të Kosovës.
Pas takimit, Ahtisari dhe Krasniqi thanë se Kosova dhe Finlanda kanë marrëdhënie shumë të mira, të cilat në të ardhmen do t' i forcojnë edhe më tutje në të gjitha fushat. Ahtisaari shfaqi bindjen se në të ardhmen pavarësinë e Kosovës do ta njohin edhe shumë shtete të tjera.
n.e/NOA