Prishtinë, 2 tetor NOA-Pedagogët e arsimit të lartë në Kosovë do të kenë paga njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës së qeverisë e cila ka premtuar të rrisë 100 për qind pagat e profesorëve dhe asistentëve të Universitetit duke pretenduar që niveli i arsimit të lartë në Kosovë të jetë konkurrues me vendet e Bashkimit Evropian. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi tha se pagat në arsimin e lartë do të sillen nga 500 euro për asistentët deri në 1.000 euro për profesorët.
"Kjo është rritje 100 për qind e pagave të profesorëve.
Me këtë vendim profesorit në UP i rriten pagat në nivel me vendet tjera të rajonit", u shpreh Thaçi, duke kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij, që të mos bëhen xhelozë, për faktin se paga e profesorit tani e tutje do të jetë më e lartë se e vetë ministrit". Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj tha se sektori i arsimit të lartë është ndër më të rëndësishmit në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndërsa Alush Gashi, ministër i Shëndetësisë tha se ngritja e pagave të profesorëve të UP-së, për Qendrën Klinike Universitare, është lajm shumë i mirë, pasi kjo rritje e pagave përfshinë tërësisht sistemin terciar dhe si e tillë, sipas Gashit, demonstron se shëndetësia është bërë interes nacional.