English

Valë arrestesh në Vlorë pas kapjes së kreut të ZRPP, kapet kryeplaku i Vunosë

Vlorë, 3 Tetor NOA - Policia e Vlorës, arrestoi gjatë mbrëmjes duke nisur dita e Shtunë, edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në aferat korruptove me pronat në bregdet ku më herët në Tiranë, u prangos drejtori i ZRPP rajonale, Edmond Banushi.

Burime zyrtare policore i thanë agjencisë së lajmeve NOA se operacioni i koduar "Fillimi i vjeshtës", u krye në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlore si dhe me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve.

Aksioni nisi në orën 19.00 të së Premtes në kryeqytet, pranë zyrave qendrore të Hipotekës, me kapjen dhe arrestimin e 40-vjeçarit Edmond Banushi, 40 vjeç, lindur e banues në Vlore, me detyrë Drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Rrethit Vlore.

Kurse gjatë natës në Vlorë u zhvillua një tjetër aksion që përfundoi me arrestimin e 48-vjeçarit Viktor Kulaj, lindur dhe banues në Vlorë, ish-jurist në Drejtorinë e Zyrës së Regjistrimit të Rrethit Vlorë dhe Oard Begaj, 47 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

"Në bazë të punës investiguese të kryer për një kohë relativisht të gjatë, të arrestuarit është mundësuar të identifikohen e dokumentohen si autorë të veprave penale që lidhen me abuzim në pronat e bregdetit duke dhënë vërtetime pronash që rridhnin nga falsifikim dokumentesh", - thanë agjencisë NOA, burime zyrtare të Policisë së Shtetit.

Që të tre, akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Policia e Tiranës më herët tha se Banushi u arrestua pasi përballet dhe me akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv në funksionin e lartë shtetëror që kryente.

Edmond Banushi, ka qenë drejtor i ZRPP që nga viti 2006, i propozuar nga Partia Demokratike dhe njihet në Vlorë si një ndër emrat më afër kësaj partie.

"Nga ana jonë hetimet vazhdojnë dhe priten arrestime të tjera", - deklaroi policia e cila sqaroi se për të tre të prangosuri, u krye ekzekutimi i Urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Sakaq, vala operacionale nuk u ndal aty. Pak para mesnatës duke hyrë e Shtuna, u konfirmua dhe arrestimi i 53-vjeçarit Leonard Bala, lindur dhe banues në fshatin Vuno, Vlorë me detyrë kryeplak i fshatit turistik Vuno.

Arrestimi i tij është kryer për veprën penale "Falsifikim i dokumenteve më shumë se një herë dhe u krye në kuadrin e operacionit të koduar "Fillimi i vjeshtës".

Policia tha se edhe për kryeplakun e Vunosë, është bërë ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit ka caktuar masën e sigurimit "Arrest ne Burg".

v.d/e.r/NOA

KOMENTE