Tiranë 2 tetor NOA Update - "Ashtu si mbetën fëmijët e mi jetimë, ashtu le të mbeten edhe fëmijë e tu".
Mjeku radiolog nuk kishte kohë as të pyeste se ç'ishte kjo ligjeratë e shkurtër, pasi katër plumba iu zbrazën në kokë duke i ndërprerë çudinë në mes e brenda pak sekondash edhe jetën.
Ali Lorja duket se e kishte kryer pa shumë mundim betimin e tij për tu hakmarrë pas vdekjes së bashkëshortes, duke kryer kështu dhe veprimin e fundit të këtij misioni.
Megjithëse nuk bëri asnjë kërcënim pas krimit makabër që kreu sot në ambientet e brendshme të Spitalit të Durrësit ku la të vdekur në mes të zyrës mjekun Fatmir Thaçi, Lorja nuk u ndalua nga asnjë njeri pasi mbante në dorë një pistoletë.
Krejtësisht i qetë ai mbërriti në polici ku dorëzoi armën dhe më pas rrëfeu krimin.
Policisë nuk iu desh shumë kohë të mësonte se kjo ngjarje kishte ndodhur për motive personale dhe nuk kishte lidhje me profesionin e Thaçit si mjek, pavarësisht se Lorja zgjodhi spitalin për të kryer vrasjen.
Sipas policisë një muaj më parë Ali Lorjas i kishte vdekur bashkëshortja L, Lorja e cila punonte si infermiere në Spitalin e Durrësit.
45-vjeçarja L, Lorja nënë e dy fëmijëve ishte vetëhelmua me fotoksinë dhe siç u mësua më vonë kishin qenë presionet sistematike të burrit të saj për xhelozi që e detyruan atë të shpëtonte prej tij, duke ndërmarrë aktin fatal.
Më vonë u mësua por kryesisht sot, se Lorja dyshonte që gruaja e tij kishte një lidhje të fshehtë më mjekun radiolog Fatmir Thaçi.
Por 45-vjeçarja i kishte mohuar vazhdimisht akuzat e bashkëshortit të saj për tradhti.
Kur gruaja e tij vdiq, Ali Lorja mori ngushëllime nga personeli i Spitalit të Durrësit të cilët ishin kolegët e 45-vjeçares dhe më pas mbeti me dy fëmijët jetim dhe kjo për shkak të dyshimeve të tij.
Por për fatin e keq të gruas së tij dhe të vet atij, të paktën kështu ka deklaruar në polici, duhet të paguante dikush tjetër dhe ky ishte mjeku Fatmir Thaçi.
Ky i fundit nuk e kishte menduar kurrë se vdekja e koleges së tij do të implikonte sadopak edhe emrin e tij dhe aq më tepër që kjo gjë do t'i kushtonte jetën.
Mëngjesin e sotëm teksa ndodhej në zyrën e tij në Spitalin e Durrësit duke plotësuar regjistrin troket dera ndërsa hyn Ali Lorja.
Ende pa mbaruar përshëndetjen e takimit, Lorja zbraz nga goja një fjali të shkurtër dhe më pas i lë radhën pistoletës duke e zbrazur në kokën e mjekut.
Vrasja alarmoi personelin dhe pacientët e spitalit të cilët vraponin nëpër korridore.
Vetëm pak minuta më pas spitali u "pushtua" nga uniformat blu.
Vrasja pati jehonën e saj ashtu si precedentët e tjerë kur vriten punonjës të tjerë të administratës shtetërore në krye të detyrës.
Politika nuk e mënjanoi vrasjen duke e cilësuar atë makabre ndërsa kërkoi dënimin maksimal të autorit si dhe garantimin e jetës së punonjësve të shëndetësisë.
Kryeministri Berisha, Presidenti Topi, Ministria e Shëndetësisë madje edhe opozita lëshuan nga një deklaratë me anë të së cilës ngushëllonin familjen e mjekut dhe dënonin krimin e rëndë.
Autori i krimit aktualisht ndodhet në qelitë e drejtorisë së Policisë së Durrësit duke dëshmuar me detaje arsyet që e detyruan të vriste mjekun.
k.k/NOA -Â Lexoni më shumë mbi argumentin:
Vrasja e mjekut, reagon ministria e Shëndetësisë: Drejtësia të dënojë rreptësisht autorin
Presidenti Topi ngushëllon familjen e mjekut: Kërkoj me forcë dënimin e merituar për autori
Vrasja e mjekut, reagon PS: Shteti të garantojë jetën e punonjësve të shëndetësisë
Â
Â