Durrës, 2 tetor, NOA - Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot mjediset e Spitalit të Durrësit, ku një mjek ka mbetur i vrarë nga një person brenda tij.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA, nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, të cilat thanë pak çaste më parë se autori i dyshuar i ngjarjes është Ali Lorja, i cili pas kryerjes së aktit të vrasjes së mjekut është vetëdorëzuar në polici.
Forcat e policisë konfirmojnë ndër të tjera se mjeku që ka mbetur i vrarë quhet Fatmir Thaçi, me pozicionin e shefit të repartit të radiologjisë në spitalin e Durrësit.
Ato kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë duke hetuar mbi shkaqet, të cilat mund të kenë shkaktuar aktin e rëndë.
Ndërkaq, ngjarja mësohet se ka shkaktuar një panik të madh mes bluzave të bardha në mjediset e Spitalit të Durrësit.
n.e/NOA