English

Kryeministri takon drejtorin e Korporatës Islamike për zhvillimin e sektorit privat

Tiranë, 3 tetor, NOA - Kryeministri Berisha priti në një takim drejtorin ekzekutiv të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, Al Aboodi.

Ky i fundit pasi falënderoi kryeministrin për pritjen, i prezantoi platformën e bashkëpunimit midis Korporatës dhe sektorit bankar dhe atij të biznesit në Shqipëri, bashkëpunim që do të finalizohet me një konferencë që do të organizohet në Tiranë në muajin nëntor.

Kryeministri nga ana e tij, i garantoi Al Aboodi mbështetjen e të gjitha strukturave qeveritare për të thelluar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Korporatës. Kryeministri, pasi i shpalosi programin e qeverisë që ai drejton, theksoi se për ekonominë shqiptare është shumë i rëndësishëm financimi i projekteve ekzistuese dhe atyre në vijim në sektorë vitalë si bujqësi, turizëm, në dhënien e mikrokredive për të inkurajuar rritjen e prodhimit blegtoral dhe bujqësor dhe nxitjen e kulturës së mbjelljes dhe prodhimit të pemëve frutore.

Ai gjithashtu i prezantoi projektet në infrastrukturë si porte, aeroporte, rrugë dhe projekte të tjera madhore, të cilët janë në proces zbatimi dhe të financimit.

Al Aboodi u shpreh i emocionuar për ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare dhe numrit të projekteve investuese të filluara dhe në proces.

Ai tha se në konferencën që do të zhvillohet së shpejti do të ketë mjaft kompani investitore dhe financuese nga Fondi i Kuvajtit, Arabia Saudite etj, të interesuar për të shtrirë aktivitetet e tyre në Shqipëri.

Sipas tij, interes për financim dhe investim nga Korporata e tyre ka gjithashtu në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

n.e/NOA

KOMENTE