Tiranë, 3 tetor, NOA - Kush dëshiron që të ndjekë studimet e larta për vitin akademik 2009-2010, sot ka afatin e fundit për t'u regjistruar pranë fakulteteve, në të kundërt e humbet plotësisht këtë të drejtë.
Kjo pasi dita e sotme shënon edhe afatin përfundimtar të fazës së regjistrimeve për studentët në fakultetet e universiteteve të gjithë vendit.
Fituesit e të drejtës për studimet e larta, duhet të regjistrohen maksimumi deri në orën 18.00, pasi pas saj nuk do të munden më për shkak të skadimit të afatit zyrtar.
Ndërkaq, me përfundimin e këtyre regjistrimeve, vendet e mbetura bosh do të bëhen publike më datë 5 tetor, duke patur mundësinë për t'u rishpërndarë sërish, duke u listuar në formularët A3 të kandidatëve.
Me përfundimin e këtij procesi, të gjitha universitetet publike duhet të dorëzojnë pranë APRIAL-it listat e kandidatëve të regjistruar në datë 5 tetor 2009.
Për regjistrimin përfundimtar, studenti fitues duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dëftesë pjekurie origjinale; listë notash me fotografi; dokument identifikimi; 2 fotografi dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh.
n.e/NOA