English

Përcillet në banesën e fundit mjeku Fatmir Thaçi, qindra vetë marrin pjesë në homazhe

Durrës, 3 tetor NOA - Përcillet për në banesën e fundit mjeku radiolog, Fatmir Thaçi i cili u vra dje në ambientet e spitalit të Durrësit me tre plumba në kokë nga Ali Lorja tashmë i arrestuar.

Për nder të mjekut u zhvilluan homazhe në ambientet e spitalit të Durrësit ku familjarët e të ndjerit u ngushëlluan nga dhjetëra mjekë kolegë të Thaçit, të cilët kanë qenë jo pak të shokuar nga vrasja e tij.

Kolegët të cilët një ditë më parë ishin pushtuar nga paniku pasi gjithçka ndodhi vetëm pak hapa larg tyre, ditën e sotme kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të Fatmir Thaçit.

Bashkëshortja dhe dy vajzat e mjekut të ndjerë kanë pritur ngushëllime jo vetëm nga të afërm dhe kolegë të Thaçit, por edhe nga personalitete të larta të shtetit si dhe nga qindra qytetarë të thjeshtë.

Mjeku radiolog u vra dje në zyrën e tij nga Ali Lorja i cili pak minuta më pas u vetëdorëzua në polici duke deklaruar se "viktima' e tij ishte përgjegjës për vetëvrasjen e bashkëshortes Liljana Lorja dy muaj më parë.

k.k/NOA

KOMENTE