Nga Stuart Grudgings
Disa mijëra admirues të shkujdesur kanë mbipopulluar plazhin Ipanema në Rio de Zhanejro. Është një ditë plot diell, ndaj disa janë duke shijuar rrezet dhe të tjerë duke luajtur volejboll apo futboll në rërë. Duke prezantuar kështu, një pamje prej kartoline të futur në kornizë nga male me një panoramë mahnitëse.
Pak më tutje, afro 100 forca të policisë bastisnin një nga lagjet më të mëdha e të varfra të qytetit, duke shkëmbyer zjarr me trafikantë të drogës gjatë një operacioni që la pa mësim të paktën 2 000 nxënës.
Më shumë se Madridi, Tokioja dhe Çikago, tre qytetet ndaj të cilëve triumfoi në garën për të drejtën e organizatorit të Lojërave Olimpike 2016, Rio është vend i ekstremeve, që të ofron kënaqësinë dhe shqetësimin në të njëjtën kohë.
"Qyteti i Mrekullueshëm", sikurse banorët e tij nuk përtojnë asnjëherë ta quajnë, është i bekuar me malet, pyjet, plazhet që mund të mahnitin këdo, madje edhe turistët më të sprovuar.
Gjashtë milionë kariokasit, emri me të cilin njihen banorët e Rios, kanë një ngrohtësi dhe pasion që shpërthen në rivalitetin e tyre të ashpër gjatë ndeshjeve të futbollit dhe karnavaleve, festivali i mirënjohur i përvitshëm që bashkon të varfër e të pasur në kërcimet Samba dhe Bacchanalia.
Edhe pse rëndësia e tij si kryeqendër ekonomike dhe kulturore po zbehet gjatë viteve të fundit nga qyteti juglindor i San Paulos, Rio de Zhaneiro, qyteti më i madh dhe më i populluar i  Brazilit, po shfaq sinjalet e para të ringjalljes.
Financat e qytetit po rriten me shpejtësi gjatë viteve të fundit në sajë të punës së një qeverie kompetente dhe zbulimit të njërës prej rezervave më të mëdha të naftës në botë pranë brigjeve të tij, një shpresë për vërshimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të punës në vitet e ardhshme.
Megjithatë, ish-kryeqyteti i Brazilit (sot është Brazilia), është i ndarë si me thikë ndërmjet afro 1,000 lagjeve të varfra, të përhapura në të gjithë qytetin, dhe "asfaltit", termi i banorëve të lagjeve të varfra për përshkrimin e rrugëve të asfaltuara të zonave ku jeton shtresa e mesme e qytetit.
Plazhi "Copacabana", mali Sugarloaf dhe statuja e stërmadhe e Krishtit në majën që vështron mbi qytetin, janë të gjithë të ngjeshur në një rrip të ngushtë të pasur dhe të zhvilluar të pjesës jugore të Rios.
Përtej tij, që turistët rrallë i shohin, shtrihen zonat e gjera dhe të rrëmujshme të shtresave të ulëta dhe getot, ku dora e shtetit ndjehet pak ose aspak.
Një pjesë e madhe e më shumë se një milionë banorëve të këtyre zonave gjenden në mes të një lufte brutale ndërmjet trafikantëve të drogës dhe forcave të policisë, që më parë hapin zjarr dhe më pas "të marrin në pyetje".
Policia, taktikat e së cilës dënohen rregullisht nga grupet në mbrojtje të të drejtave të njeriut, vret mesatarisht tre persona në ditë, kryesisht të rinj me ngjyrë, që në mënyrë të padallueshme të gjithë klasifikohen si raste që "i rezistuan arrestimit" Sinjale për ripërtëritje
Vizitorët e huaj mund të mos e vënë re luftën ndërmjet policisë dhe trafikantëve të drogës në Rio, por shenjat e problemeve shfaqen në rrugët e shkreta me fëmijë të dëshpëruar që enden nëpër zonat turistike, si plazhi "Copacabana", duke lypur lëmoshë dhe duke rrëmuar në qeset e hedhura plastike. Megjithatë, Rio po bën përpjekje të mëdha për të qenë më përfshirës dhe ka përfituar nga progresi ekonomik i Brazilit nën drejtimin e presidentit të majtë karizmatik Luiz Inacio Lula da Silva.
Shumë lagje të varfra po përfitojnë fonde publike për ndërtimin e apartamenteve dhe qendrave shëndetësore, ndërsa një program i ri i policimit në komunitet po zbatohet në shumë të tjera, përfshi edhe lagjen ku në vitin 2002 u xhirua filmi i mirënjohur "Qyteti i Zotit" (City of God).
Kryetari i ri i bashkisë së Rios, Eduardo Paes, është nismëtari i një fushate për vendosjen e rregullit që prej marrjes së detyrës këtë vit, duke bërë përpjekje serioze për përmirësimin e sistemit kaotik të transportit dhe sistemimin në vende të përshtatshme të tregtarëve të palicencuar.
"Ne po kalojmë procese të njëjta me ato që qytetet amerikane kaluan në vitet '80 dhe '90", - kishte deklaruar para pak ditësh Paes, në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Londrës, Reuters.
Në distriktin qendror Lapa, rigjallërimi i tij ka nisur prej disa vitesh në sajë të investimeve që kanë kontribuar në transformimin e zonës famëkeqe në një nga skenat më të gjalla të jetës së natës në Rio.
Pak mënyra të tjera ekzistojnë për të kaluar një ditë ndryshe, përveç atyre të zakonshmeve në rërën e plazhit Ipanema, ndoshta një lojë futbolli ose mbase... rrëkëllitja e një gote birrë.
(*) Reuters