Mesina, 3 tetor NOA-Provinca e Mesinës në Sicili është goditur nga një stuhi e fuqishme, e cila ka shkaktuar deri tani një bilanc tragjik prej 21 viktimash e 95 të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Por kryeministri italian Silvio Berluskoni paralajmëroi se numri i viktimave mund të dyfishohet, pasi të paktën 30 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Qyteti është izoluar nga shkatërrimi i rrugëve dhe autostradës Mesina -Katania, Giampilieri-Scaletta.
Janë përmbytur shumë rrugë dhe janë shkatërruar mbi 20 banesa përreth Mesinës, ku ekipet e shpëtimit zhvilluan operacione kërkimi për të mbijetuarit.
Ekipet e shpëtimit po gërmojnë pa pushim pas rrëshqitjeve masive të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura të dy ditëve më parë në Mesina, duke shkatërruar shtëpi dhe rrugë, por ndërkohë shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen me kalimin e orëve.
Të paktën 80 persona janë lënduar dhe qindra të tjerë kanë mbetur të pastrehë. "Messina, një tragjedi e paralajmëruar" ishte kryeartikulli i numrit të sotëm të gazetës "La Repubblica", ndërkohë që edhe media të tjera italiane shtronin pyetjen "përse shtëpitë e banimit ishin lejuar të ndërtoheshin pranë lumenjve në një zonë të goditur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut edhe dy vjet më parë". Ndërtimet e parregullta janë një fenomen i zakonshëm në Itali, veçanërisht në pjesën qendrore dhe jugore të vendit.