English

Veteranët e UÇK-së në Maqedoni: Ahmeti të mendojë vetëm për interesat shqiptare

Shkup, 3 tetor, NOA - Dy shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së në Maqedoni i kanë tërhequr vërejtjen kreut të BDI-së, Ali Ahmeti për marrëveshjet e tij të fshehta me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE, kur bëhet fjalë siç thuhet për interesa gjithëshqiptare.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka theksuar se interesat personale dhe grupore po vazhdojnë të jenë metoda të veprimit dhe funksionimit politik të shqiptarëve në Maqedoni. " Fatkeqësisht shqiptarët ranë në një kurth të tyre dhe po kalon një muaj që po merremi me këtë problematikë. Tani gjoja që janë marrë vesh kryeministri Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti për ta përmirësuar këtë problem, të cilin vetëe lindën e tani dalin si shpëtimtarë. Nga gjithë kjo, neve na vjen keq për qasjen që ka patur në veçanti faktori politik shqiptar në Maqedoni, i cili pavarësisht ofendimit të rëndë që iu bë shqiptarëve, vazhdojnë me politikën e lutjes dhe lypjeve", ka theksuar kryetari i OVL të UÇK-së, Besim Hoda. Sipas tij, kjo "Enciklopedi" u nxor për të matur pulsin e shqiptarëve dhe për të verifikuar paaftësinë e subjektit politik shqiptar.

"Maqedonasit do të vazhdojë të provokojnë shqiptarët, ashtu siç po provokojnë dhe diskriminojnë për çdo ditë. Është ky një fenomen i njohur për të përfituar kohë, duke prodhuar probleme, me të cilat shqiptarët do të merren", ka theksuar Hoda. Shoqata e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së "Kalaja" kërkon përgjegjësi nga Qeveria dhe BDI se si ka lejuar që tu rriten rrogat akademikëve si dhuratë, siç thuhet "për të fyer pastaj shqiptarët". Sipas kësaj shoqate, takimi Gruevski-Ahmeti s'ishte asgjë tjetër, vetëm blerje kohe dhe për ti manipuluar ndërkombëtarët se do të korigjojnë enciklopedinë.

"Ne si shoqatë e dalur nga lufta kemi një përvojë të hidhur po me këtë person Ali Ahmetin, sepse nuk bëri asgjë për familjet e dëshmorëve, as për invalidët, e as për veteranët e luftës, duke rikujtuar moton e tij të njohur se ai e mban fjalën, në këtë rast vetëm ndaj partnerit të vet qeveritar dhe jo elektoratit", theksohet në komunikatën e SHVL-së "Kalaja". Nga ana tjetër, Fazli Veliu nga SHVL-ja e UÇK-së ka theksuar se e përshëndet veprimtarinë e Ali Ahmetit dhe personaliteteve tjera kundër "Enciklopedisë".

"Nëse ky reagim nuk do të ketë ndryshime rreth kësaj, ne do të dalim prapë me platformë dhe do të marrim një iniciativë më të fuqishme që të përmirësohet kjo gjendje që mbizotëron tani", ka theksuar Veliu.

NOA-INA

KOMENTE