Mbetet vetëm të shohim muajt në vazhdim, si shqiptarët do të përballen me këtë rritje çmimi, bash në muajt e ftohtë kur energjia sigurisht do të mungojë shumë orë në ditë në fshatra dhe provinca, e ca më pak në metropol ku janë përqendruar mediat, ndërkohë që subjekti privat do të shijojë "frytet", jo të investimit siç ndodh në gjithë botën, por të një aplikimi për rritje çmimi
Redaksionale NOA
Pronarët e rinj çekë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë kanë kërkuar që tarifat të rriten me 23 për qind, sikundër evidentohet sot nga publikimet në media.
Kërkesa mësohet se është bërë në fund të muajit shtator dhe është dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë, i cili ka dhe të drejtën ta shqyrtojë.
Të dy institucionet, si OSSH dhe ERE kanë preferuar që të mos e publikojnë kërkesën për ndryshimin e tarifave.
Por burime pranë dy institucioneve pohojnë se sipas këtij aplikimi, çmimi që do të paguajnë qytetarët do të jetë duke nisur nga 10 lekë për kilovat orë, plus tatimin mbi vlerën e shtuar në shumën 20 për qind.
Në këtë mënyrë, kjo bëhet rritja më e madhe që i është bërë ndonjëherë çmimit të energjisë elektrike në këto vitet e fundit, plot 23 për qind.
Skema e detajuar që ka përdorur kompania private, ende nuk dihet zyrtarisht, por ajo që është e qartë, është papërgjegjshmëria e shtetit shqiptar, që edhe në këtë rast bën të mirin e "botës" dhe të keqin e popullit.
Të lejosh një kompani private që të rrisë çmimin plot 23 për qind është një papërgjegjshmëri më vete.
Dhe ky është vetëm fillimi.
Prej disa muajsh, njerëz në ERE, METE dhe institucione të tjera të larta shtetërore, shfrytëzuan gazetarët duke nxjerrë shpesh informacione se do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Nga ana tjetër, OSSH e sapoblerë nga çekët, heshtte, deri dhe mohonte të kishte kërkuar apo të kishte në plan të kërkonte rritje çmimi, përderisa ende nuk arrin të "besojë" se e ka blerë kompaninë më fitimprurëse në Shqipëri.
Për më tepër, kur rritja e çmimit kërkohet në kushtet e investimit zero.
Shteti këtu ka bërë lojën e privatit. Sidomos kur pak muaj më parë, "ndillte" në mënyrë të papërgjegjshme me fjalët "ne nuk kemi kërkesë për rritje të çmimit të energjisë por do ta pranojmë atë nëse do të vijë".
Kështu, pasi ushqeu mediat dhe për rrjedhojë popullin prej afro një viti, me psikozën se do të ketë rritje të çmimit të energjisë paçka se privati medemek nuk paskësh kërkuar deri vonë një gjë të tillë, tani do të "turret" përmes Entit Rregullator të Energjisë Elektrike që të shpallë pranimin e rritjes së çmimit.
Ajo që është shqetësuese në të gjithë këtë histori, përpos lojës shtet-privat, është halli me të cilin konkretisht pritet të përballet populli.
Në kushtet e një krize ekonomike globale, e cila ka prekur sigurisht edhe Shqipërinë, në kushtet e një rritjeje ekonomike (sipas FMN) për vitin që po mbyllet, veçse 0.7 për qind, të rritësh me 23 për qind, çmimin e energjisë elektrike, do të thotë të shkatërrosh edhe më shumë ekonominë e qytetarëve të thjeshtë.
Shteti, nuk mund të tolerohet në këtë drejtim, duke u pranuar thjesht rritje të tilla, të papërgjegjshme çmimesh, por i duhet bërë e qartë se në vend të merret me pasurimin e një grushti njerëzish, të vërë në zbatim konkret, politika të qarta dhe efektive për të mos ndërvarur shqiptarët nga energjia elektrike.
Për fat të keq, thuajse të gjitha familjet shqiptare detyrohen të përdorin energjinë elektrike, pasi jemi i vetmi vend në Evropë që nuk përdor gazin e lëngshëm apo lëndë të tjera alternative për konsum të përditshëm.
Mbetet vetëm të shohim muajt në vazhdim, si shqiptarët do të përballen me këtë rritje çmimi, bash në muajt e ftohtë kur energjia sigurisht do të mungojë shumë orë në ditë në fshatra dhe provinca, e ca më pak në metropol ku janë përqendruar mediat, ndërkohë që subjekti privat do të shijojë "frytet", jo të investimit siç ndodh në gjithë botën, por të një aplikimi për rritje çmimi.