Tiranë, 4 tetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha i ka dërguar një letër urimi Kancelares gjermane, Angela Merkel me rastin e festës kombëtare të 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.
"Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e Festës suaj Kombëtare të 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, t'ju përcjell, në emrin tim dhe të qeverisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore.
3 Tetori i vitit 1990 shënon një çast kulmor në historinë e kombit gjerman por edhe qytetërimit evropian e mbarë njerëzimit, si dita e ndarjes nga barbaria dhe marrëzia e komunizmit, që për më shumë se një gjysmë shekulli, ndau dhe izoloi, burgosi dhe ekzekutoi, varfëroi, shtypi brutalisht, zhveshi nga liritë themelore dhe shpërfytyroi me miliona njerëz, por edhe popuj e kombe të tërë.
Ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 shënon triumfin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut në mbarë Evropën, shënon një hap vendimtar për ribashkimin e popujve dhe kombeve evropianë, të cilët së bashku po konsolidojnë tashmë projektin më madhështor të një Evrope të vetme, të bashkuar në paqe e liri" thuhej në letrën që Berisha i dërgoi Kancelares Merkel.
"Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur të forcojmë dhe konsolidojmë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera politike, që ekzistojnë ndërmjet të dy qeverive dhe miqësinë tradicionale që ekziston ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq, si edhe të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona, në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian" përfundon letrën e urimit, kryeministri Berisha.
k.k/NOA