Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë
Athinë, 4 Tetor NOA - Edhe rezultatet e para zyrtare që nxjerr Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, nxjerrin fitues PASOK-un e udhëhequr nga Jorgos Papandreu që pritet të marrë nga presidenti Karolos Papulias, postin e kryeministrit të Greqisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, opozita socialiste kryeson me 43 për qind të votave dhe ka siguruar deri në 159 vende në parlamentin me 300 deputetë.
Ndërkohë, Demokracia e Re (Nea Dimokratia) e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Kostas Karamanlis, ka siguruar deri tani afro 37 për qind të votave.
Edhe për exit poll, PASOK është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u zhvilluan sot në Greqi.
Sipas sondazhit të kompanisë KAPA që publikoi pak çaste pas mbylljes në 19.00 (ora helene) të qendrave të votimit, televizioni më i njohur për lajmet në Greqi Alpha.
Sipas exit poll, socialistët grekë të PASOK kanë fituar nga 41 për qind deri 44 për qind.
Ndërkohë Nea Dimokratia e drejtuar nga kryeministri aktual Kostas Karamanlis, ka fituar nga 37.3 për qind deri në 34.3 për qind.
Kështu në parlamentin me 300 vende, rezulton sipas exit poll të Alpha, që PASOK e drejtuar nga Jorgo Papandreu që nëse shpallet fitues do të jetë kryeministri i ri i Greqisë, ka fituar 151 deri 159 vende në parlamentin e ri.
Kurse Nea Dimokratia rezulton të ketë marrë 94 deri 100 vende në parlamentin e ri dhe komunistët e KKE, 20 deri 22 deputetë.
Në zgjedhjet e sotme u thirrën në mënyrë të detyruar, 9.8 milionë zgjedhës grekë të cilët votuan në mbi 20 mijë qendra votimi.
Reagimet e para
Me tone të qeta ka folur një zyrtar i PASOK pas daljes së rezultateve të para. Andras Loverdos, një përfaqësues i PASOK tha se kjo parti nuk do të hidhet në festime të bujshme sepse e priste këtë fitore dhe "na pret një punë shumë e madhe për t'u bërë".
Ndërkohë, një numër i madh simpatizantësh të PASOK janë mbledhur në selinë qendrore elektorale të kësaj partie në sheshin "Klauthmonos" në Athinë ku po festojnë të ngazëlluar.
n.s/e.r/NOA