Laç, 4 Tetor NOA - nëse nuk do të kishte dyshime për identitetin e tij, ndoshta 42-vjeçari Ernes Kolë Meriami, nuk do të gdhinte sot ditën në qelitë e paraburgimit të policisë së Laçit, por në banesën e tij në Gurëz, ku edhe familjarët e prisnin pasi po vinte nga Rinasi.
Burri që 17 vjet më parë i kishte marrë jetën me thikë Ndoc Metës, nën konflikte të ndezura për motive pronësie, atëherë kur ishte jo më shumë se 25 vjeç, jetonte gjatë kësaj periudhe në ilegalitet, në përpjekje për të mos rënë në duart e policisë.
Këtë ka dashur të bëjë dhe në orët e para të ditës së Diel, pak pas mbërritjes në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Enes Kolë Meriami, nga fshati Gurëz i rrethit të Kurbinit, është kthyer nga Belgjika ku ishte paraqitur me identitet të rremë Ernest Kolë Kola nga Mirdita.
Ndaj, pas shoqërimit në Rinas, nën dyshimet për falsifikim dokumentesh, është dërguar në komisariatin e Policisë së Kurbinit.
Atje, gjithçka është zbardhur duke "fundosur" 42 vjeçarin. Agjentët antikrim, pas verifikimeve, bazuar edhe në fotot që dispononin, kanë zbuluar se i shoqëruari nuk ishte Ernest Kolë Kola nga Mirdita por Ernes Kolë Meriami dhe ishte dënuar në vitin 1992 me 15 vjet heqje lirie, për veprën penale të vrasjes.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, 42 vjeçari në vitin 1992 kishte therur me thikë Ndoc Metën, duke i marrë jetën, pas një konflikti për motive pronësie.
Pas ngjarjes, Ernesi, atëherë 25 vjeçar, ishte larguar nga Gurëzi, duke u strehuar në një nga fshatrat e rrethit të Korçës, duke bërë që operacionet e atëhershme të policisë për ta shtënë në dorë, të dështonin rregullisht.
Më tej, Ernesi çan kufirin dhe del nga Shqipëria ku për gati një dekadë e gjysmë u stacionua në Belgjikë.
Mesa duket, malli për vendlindjen dhe të afërmit e tij, e ka shtyrë, ashtu si dhe shumë të kërkuar të tjerë, që të përpiqet të hyjë në tokën shqiptare, duke besuar se nuk do të zbulohet prej policisë, pas një periudhe kaq të gjatë.
e.r/NOA