English

Zgjedhjet e parakohshme, sot Greqia vendos mes PASOK dhe Nea Dimokratia

Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë

Athinë, 4 tetor NOA - Rreth 9.8 milionë shtetas grekë, janë thirrur në mënyrë të detyrueshme, për të ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi.

Lufta edhe këtë radhë bëhet mes dy partive më të mëdha, Nea Dimokratia e cila lajmëroi pak muaj më parë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe PASOK, partia e të majtëve aktualisht në opozitë.

Sondazhet e deridjeshme kanë treguar se PASOK mund të jetë fitues i zgjedhjeve dhe e rendisin partinë e drejtuar nga Jorgo Papandreu, me gjashtë pikë më lart se Nea Dimokratia e kryeministrit aktualisht në detyrë, Kostas Karamanlis.

Në aspektet politiko-ekonomike, analistët theksojnë se opozita socialiste pritet t'i fitojë zgjedhjet parlamentare në sajë të dështimit të qeverisë për ta luftuar korrupsionin dhe të mënyrës si e menaxhoi krizën ekonomike.

Por cilido që do të fitojë në Parlamentin me 300 vende, do të përballet me deficitin buxhetor që kap 6 për qindëshin e Prodhimit Bruto, me papunësinë në rritje dhe pakënaqësinë e thellë me sistemin arsimor dhe emigracionin e paligjshëm.

Në lidhje me këtë të fundit, PASOK ka treguar përmes kreut Jorgos Papandreu që synon të jetë kryeministri i ardhshëm, se ka më shumë dashamirësi ndaj emigrantëve, duke premtuar edhe dhënien e shtetësisë për ata të huaj që janë lindur në Greqi dhe ata që kanë vite që jetojnë këtu dhe duan të bëhen shtetas grekë.

Po ashtu, PASOK-u i Papandreut premtoi gjatë fushatës elektorale vendosjen e një të ashtuquajture taksë për të pasurit, mbështetje të të varfërve dhe një paketë në ndihmë të ekonomisë, prej 3 miliardë eurosh.

***

Në zgjedhjet e sotme për parlamentin e ri grek, janë thirrur të votojnë 9.8 milionë shtetas grekë, në 20 028 qendra votimi në të gjithë vendin.

Votimi ka nisur në orën 07.00 të mëngjesit dhe sipas ligjeve end enë fuqi, të gjithë shtetasit grekë me të drejtë vote janë të detyruar që ta ushtrojnë këtë të drejtë, me pak përjashtime për rrethana të justifikuara.

Kështu, nuk detyrohen të votojnë, shtetasit që janë mbi 70 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore të provuara.

Sakaq, tolerimi për të mos votuar, për ata që jetojnë më larg se 200 kilometra nga vendi ku janë të regjistruar për votim, është hequr.

Grekët që gjenden jashtë vendit të tyre ditën e votimit, e ushtrojnë të drejtën e votës më herët ose atë ditë, në vendin ku ata janë, por nuk janë të detyruar me ligj.

Në zgjedhjet e sotme, 2.5 për qind votojnë për herë të parë.

Çdo shtetas grek, duhet që të ketë me vete për të votuar, një kartë identiteti të lëshuar nga policia vendase.

Në rast se nuk e kanë një kartë të tillë, mund të përdoret pasaporta, edhe nëse ka skaduar afati i saj i përdorimit, leja e drejtimit të automjetit, ose libreza shëndetësore. Po ashtu, lejohet votimi edhe me vërtetime të përkohshme të lëshuara nga autoritetet policore, sipas kërkesës së shtetasve me të drejtë vote.

Në këto zgjedhje, çdo votues duhet të zgjedhë mes 23 partive politike.

n.s/e.r/NOA

Â

KOMENTE