Tiranë, 5 Tetor NOA - Kryeministri Sali Berisha, pritet të nisë nesër një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kosovës, e para që një drejtues i lartë shteti kryen në vendin fqinjë pas pavarësisë. Për Berishën, kjo është vizita e dytë, pasi pararendësja ishte pak vite pasi Kosova u çlirua nga okupimi serb.
Agjencia e Lajmeve NOA ka siguruar axhendën e plotë të kryeministrit ku spikasin një seri vizitash, takimesh nënshkrim të disa marrëveshjeve dhe aktivitete të tjera.
Konfirmohet se në ditën e parë të vizitës, nesër në orën 10.00, pas pritjes ceremoniale që do t'i bëhet nga kryeministri Hashmi Thaçi, Berisha së bashku me delegacionin që e shoqëron do të nënshkruajë marrëveshjet dypalëshe që lidhen sidomos me lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve.
Po ashtu do të nënshkruhet marrëveshja në fushën e doganave, marrëveshja për qarkullimin në zonat kufitare, ajo e bashkëpunimit policor ndërkufitar, si dhe e bashkëpunimit të administratave lokale.
Ndërkohë konfirmohet se mes Tiranës dhe Prishtinës do të nënshkruhet edhe marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm.
Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, në 11.30, Berisha dhe Thaçi kanë planifikuar të dalin në një konferencë për shtyp e cila do të transmetohet direkt nga RTK.
Axhenda vijon pak minuta më vonë me një takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Atje Berisha do të marrë dhe dekoratën presidenciale dhe menjëherë më pas do të ketë një tjetër dalje publike në konferencë për shtyp të përbashkët me Sejdiun.
Më tej, kryeministri ka planifikuar të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi.
Kurse më pas do të mbajë një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Dy orë pas mesdite, kryeministri Thaçi do të shtrojë një drekë zyrtare për Berishën dhe delegacionin e tij.
Pasdite, axhenda vijon me një takim me përfaqësues të biznesit kosovar.
Më pas, Berisha do të kryejë homazhe te varri i Brahim Rugovës dhe një vizitë në familjen e tij.
Në orën 17.30, në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik, kryeministrit Sali Berisha do t'i jepet përmes një ceremonie të veçantë, titulli "Honoris Causa" nga Universiteti i Prishtinës.
Pjesa e dytë e ditës së parë të vizitës do të vazhdojë të jetë e ngjeshur për kryeministrin shqiptar pasi ai, në prag të zgjedhjeve në Kosovë, do të zhvillojë takime dhe me parti parlamentare si AAK AKR, LDD etj.
Por Berisha ka menduar dhe për minoritetet në Kosovë duke planifikuar takime edhe me to, përfshirë minoritetin serb.
Kjo ditë e parë e vizitës mbyllet në mbrëmje me një darkë që Presidenti i Kosovës do të shtrojë për nder të kryeministrit shqiptar.
Në ditën e dytë të vizitës, Berisha do të udhëtojë për në Prekaz ku do të kryejë homazhe dhe më tej një vizitë në familjen e legjendarit Adem Jashari.
Më tej, kryeministri do të shkojë të vizitojë monumentin "Neë Born".
Në orën 10.45, Berisha ka planifikuar një takim 30 minutësh me përfaqësuesin e BE, z. Pieter Feith dhe 45 minuta të tjera, një takim me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Markus Bentler.
Një takim me Kryetarin e Komunës Prizren vijon axhendën e Berishës pasi atje, ai do të marrë titullin "Qytetar Nderi" i Prizrenit.
Këtu, Berisha do të bëjë një shëtitje të lirë nga komuna dhe deri te shatërvani i Prizrenit dhe më pas do të marrë pjesë në një drekë të shtruar nga kryetari i komunës Prizren.
Mbyllja e vizitës bëhet me vizitën surprizë te Bjeshkët e Nëmuna në Prevallë dhe menjëherë më pas, Berisha do të nisë rrugën për në Tiranë, përmes autostradës së re.
e.r/NOA