Tiranë, 5 Tetor NOA- Sektori i Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe Komisariatit të Policisë Nr.5, me pjesëmarrjen e Forcave RENEA, kanë finalizuar pasditen e sotme operacionin policor të koduar "Darka jashtë" për kapjen e 37-vjeçarit të kërkuar, Besnik Vath Visha, banues në Tiranë.
Burime zyrtare policore i thanë agjencisë NOA se operacioni për kapjen e tij, u organizua në fshatin Zgur, të Komunës Zall Bastar dhe në sajë të rrethimit të vendit ku fshihej dhe negociatave të realizuara nga Forcat Speciale RENEA, u bë e mundur kapja e të kërkuarit Visha.ÂI prangosuri, është i dënuar me vendim të datës 29.06.2001 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, e cila i ka dhënë 12 vjet burgim, për veprat penale të "Vrasjes me dashje" dhe të "Armëmbajtjes pa leje". Besnik Visha, më datë 10 Prill të vitit 1997, ka vrarë më armë zjarri, për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Në momentin e arrestimit, Vishës iu gjendën dhe ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një krehër me fishekë.
"Ky person është ndjekur me masa kërkimi që nga viti 2001 dhe për kapjen e tij, janë organizuar shumë operacione policore, të cilat kanë dështuar për shkak të terrenit të vështirë", - konfirmuan burimet policore.
Visha, ka lëvizur i armatosur në fshatra të ndryshme të Komunës Zall Bastar, duke rënduar situatën e rendit në këtë Komunë.Â
e.r/NOA