Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë
Athinë, 5 Tetor NOA - Vajza e mitur shqiptare e cila prej 24 ditësh rezultonte e zhdukur në Greqi, është gjetur, pas kërkimeve të shumta të bëra nga policia, fa milja dhe një program televiziv.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme Policore e Athinës, i konfirmuan korrespondentit të agjencisë së lajmeve NOA se "Esmeralda Balka, 15 vjeçe, shtetase shqiptare me qëndrim të rregullt në Greqi, u gjet në orën 23.00 të datës 4 tetor 2009, në një nga lokalitetet e Athinës dhe iu rikthye prindërve të saj.
Policia refuzoi të japë detaje për shkaqet e zhdukjes së të miturës, duke deklaruar se këto janë hollësi që do t'i bëhen të ditura familjes së Esmeraldës.
Ndërkohë, televizioni Alter në Greqi, ka qenë pikë e rëndësishme referimi për gjetjen e vajzës.
Në emisionin "Fos sto tunel" (Dritë në Tunel" që transmetohet në këtë kanal televiziv, mbrëmjen e së dielës është dhënë informacioni mbi gjetjen e Esmeraldës së zhdukur në Vrilisia.
"Peripecitë e Esmeraldës 15 vjeçare kanë ndaluar duke i dhënë fund agonisë së nënës dhe babait të saj si dhe të afërmve të tjerë që e kërkonin prej më shumë se tre javësh", lajmëroi Ana Nikopuli, drejtuese e emisionit që merrte me gjetjen e njerëzve të humbur.
Vajza e mitur është marrë nën kujdesin e "Hamogelo tu Pediu" (Buzëqeshja e fëmijës) e cila është një organizatë e mbështetur nga shteti dhe subjeket private në ndihmë të fëmijëve të zhdukur dhe atyre të keqtrajtuar e të braktisur dhe pjesë e Îœissing Children Europe.
"Vajza u konstatua se kishte nevojë për mbështetje psikologjike, ishte e traumatizuar dhe për këtë, një punonjëse sociale dhe një psikologe po shohin gjendjen e saj edhe në ditët në vazhdim", bënë të ditur burimet në organizatën e specializuar greke.
Zhdukja
Esmeralda Balka shtetase shqiptare, 15 vjeçe, banore në Vrilisia, lokalitet grek ku jeton me familjen e saj, emigrantë të rregullt nga Shqipëria u denoncua nga familja e saj si e zhdukur që në datën 12 shtator 2009, në orën 20.00 nga zona e Vrilisias".
Mateo dhe Arturi, dy zhdukje të tjera ende mister në Greqi
Zhdukjet e shtetasve shqiptarë në Greqi, janë shoqëruar vazhdimisht me mister dhe këtu veçohen rastet ende të pazgjidhura të djalit nga Elbasanit, Artur Carja dhe të voglit nga Tirana, Mateo Dullia.
Vogëlushi Mateo Dullia u zhduk më 7 shtator 2008 dhe prej më shumë se një viti, ende asgjë nuk dihet për fatin e tij.
Familja e tij, disa herë nëpërmjet agjencisë së lajmeve NOA ka bërë apel që fëmija të gjendet, por ende nuk ka sinjale jete për të.
Fëmija iu rrëmbye nga krahët nënës së tij Albana Dullia, emigrante e rregullt në Greqi, nga një shtetas sirian, i identifikuar nga policia me emrin Hajsan Kajrimo, 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I lindur më 7 shtator 2008, Mateo Dullia ka sy të gjelbër dhe flokë ngjyrë gështenjë. Ai u rrëmbye në orën 18.30 të datës 7 shtator 2008 në lokalitetin Kukaki të Athinës. Ai në momentin e rrëmbimit, ishte i gjatë 75 centimetra dhe peshonte 10 kilogramë. Kurse mbante veshur një bluzë me ngjyra portokalli dhe të gjelbër si dhe pantallona ngjyrë bezhë dhe këpucë ngjyrë portokalli.
Ndërkohë, i dyshuari i rrëmbimit, është Hajsan Karimo, 34 vjeçar nga Siria, emigrant i paligjshëm në Greqi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Hajsan Karimo siç duket dhe në foto, është i gjatë 1.67 m, peshon rreth 60 kilogramë dhe konsiderohet nga policia greke si ideator dhe rrëmbyes i fëmijës që ishte fryt i lidhjes së tij të dikurshme me Albana Dullinë, të cilën e braktisi pak muaj pasi ishte shtatzënë.
Rasti i Artur Cares për vetë kohën e gjatë të mbetur në terr, është edhe më i rëndë.
I mitur nga Elbasani, i cili nëse jeton duhet të jetë 14 vjeç, u zhduk më 9 korrik 2004 në mesditë, në tregun e qytetit të Elbasanit ndërsa shiste qese në përpjekje për të ndihmuar në ekonominë e rrënuar të familjes së tij.
Persona të cilët ende mbeten të panjohur e futën në një makinë jashtë tregut dhe që atëherë, asgjë nuk dihet për fatin e tij, megjithë përpjekjet e shumta për ta gjetur.
Artur Carja (e shihni në foto), është një metër e 30 centimetra i gjatë, i lindur në Elbasan më 12 gusht 1995, me sy ngjyrë kafe të errët, i dobët, me flokë ngjyrë gështenjë.
Policia greke e cila ka shpallur në kërkim të voglin, duke iu referuar dhe të dhënave nga Shqipëria (Elbasan) ku jeton familja e tij, ka hedhur dyshime të forta se i mituri është rrëmbyer dhe gjendet në Greqi, ku shfrytëzohet nga tutorë shqiptarë.
/n.s./e.r/k.k/NOA/