Athinë, 5 tetor, NOA Update - Presidenti amerikan Barak Obama e telefonoi fituesin e zgjedhjeve në Greqi, Jjorgos Papandreu për ta uruar për fitoren, duke i komunikuar se pret me padurim që të bashkëpunojë me drejtuesin e ri të shtetit grek.
Gjithashtu, Obama duke i dërguar këtë përshëndetje Papandreut, nuk harroi të përshëndesë edhe popullin grek që mori pjesë në votime.
Nga ana e tij, kryeministri Kostas Karamanlis e pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë së tij Demokracia e Re pasi rezultatet paraprake treguan se partia socialiste PASOK-u ishte shtatë pikë përpara.
Ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Greqi pritet të dalin sot, një parashikim zyrtar i vendoste socialistët në avantazh me 43 për qind të votave dhe konservatorët me 34 për qind.
Nga ana e tij, udhëheqësi socialist grek Xhorxh Papandreu, u tha përkrahësve se ai mendon ta drejtojë vendin në rrugën e rimëkëmbjes, zhvillimit dhe të resë.
Papandreu, bir dhe nip ish-kryeministrash ka premtuar një paketë stimujsh prej 4.4 miliarda dollarësh për të rigjallëruar ekonominë kombëtare.
Socialistët fitues e përshkruan suksesin në zgjedhjet e djeshme si një përgjegjësi plot nderim, duke premtuar se do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të patur një mandat të dobishëm katërvjeçar për të gjithë grekët.
n.e/NOA