Tiranë, 5 tetor, NOA - Policia Rrugore e Tiranës brenda harkut kohor të tre ditëve ka pezulluar 950 leje qarkullimi, ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët nuk kanë paguar detyrimet e vendosura për kundravajtjet administrative të kryera prej tyre.
Burimet zyrtare të drejtorisë së Policisë bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se gjatë fundjavës kanë ndërmarë kontrolle të vazhdueshme, duke bllokuar edhe 53 automjete.
Pas shlyerjes së detyrimeve, 27 drejtuesve iu dhanë automjetet ndërsa 26 të tjera aktualisht ndodhet të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre.
Sipas të dhënave që konfirmohen gjatë këtyre tre ditëve nga Posta Shqiptare janë arkëtuar gjithsej 2122 masa administrative.
Policia e Tiranës shton ndërkaq se do të vazhdojë me intesitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.
n.e/NOA
Â
Â
Â