Tiranë, 5 tetor NOA - "Mazhoranca e dyshes Berisha-Meta vazhdon të dëshmojë se problemet sociale të vendit, hallet dhe shqetësimet e shtresave në nevojë nuk janë në agjendën e punëve të tyre".
Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj pas vendimit të qeverisë për të ulur moshën e pensionit të minatorëve.
"Së fundmi, mazhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët nga 65 në 60 vjeç.
Ky ndryshim ligjor, në fakt, është tallje me mundin, sakrificat dhe rreziqet me të cilat përballen punonjësit e nëntokës.
Është tallje sepse nuk i jep zgjidhje nevojave të sotme të minatorëve apo ish-minatorëve.
Është tallje, sepse nuk ofron asgjë për mbi 5 mijë ish-minatorë që aktualisht nuk e mbyllin dot fundin e muajit me trajtimin e veçantë jo më shumë se 8 mijë lek në muaj që u jep qeveria Berisha-Meta" tha Beqaj.
"Sali Berisha vijon të tallet në mënyrë konstante me minatorët.
Minatorët dhe shqiptarët e njohin tashmë Sali Berishën dhe prandaj nuk ia dhanë votat për të qeverisur.
Por talljes së Berishës po i shtohet edhe tallja e Ilir Metës.
Meta nuk ka sesi të përshëndesë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët kur në programin e tij kishte premtuar miratimin e statusit të minatorit.
Meta erdhi në pushtet, por statusi i minatorit do të hyjë që në muajin e parë të qeverisjes në listën e premtimeve të shkelura.
Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të ushtrojmë presion që puna, djersa, mundi dhe sakrifica e minatorëve të respektohen në Shqipëri" përfundoi Beqaj.
k.k/NOA Â Â
Â