Shkup, 6 Tetor NOA/RFE - Tre anëtarët shqiptarë të Akademisë së Shkencave të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë edhe këtë fillimjavë kanë refuzuar ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit redaktues të Enciklopedisë, kryesuar nga akademiku Bllazhe Ristevski.
Në këtë mbledhje, duhet të diskutoheshin zhvillimet e fundit rreth Enciklopedisë maqedonase dhe ndryshimet që duhet të pësojë ajo.Â
Akademiku Ali Aliu tha për RFE se kërkesa e shqiptarëve shpërfillet, përderisa nuk thirret mbledhja e Kuvendit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase, në të cilën do të diskutohet për përgjegjësinë e botimit të parë të Enciklopedisë maqedonase. Në të kundërtën, pjesëmarrja e akademikëve shqiptarë, tha Aliu, do të ishte mbulesë për përbërjen e këshillit drejtues në krye me Bllazhe Ristevskin. "Nuk duam ta shkarkojmë nga faji që ka bërë redaksia e deritanishme. S'kam bashkëpunuar me atë redaksi, as s'kam qenë i ftuar, as i informuar të bashkëpunoj - tash s'ka përse të shkoj dhe në këtë mënyrë t'i krijoj mbulesë kryeredaktorit për skandalin që ka bërë". "Domethënë, vjen në konsiderim një prani e imja me një këshill të ri redaktues, me kryetar të ri", tha Aliu.
Ndërkohë, Qeveria e FYROM-it ka kërkuar përgjegjësi nga anëtarët e redaksisë së Enciklopedisë maqedonase. Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, vlerësoi se për arsye morale, qeveria pret që kryeredaktori i Enciklopedisë, Bllazhe Ristevski, të japë dorëheqje. "Është e logjikshme që pas një incidenti të tillë, dikush të mbajë përgjegjësi. Në piramidën e përgjegjësisë gjendet pikërisht zoti Bllazhe Ristevksi". "Ne, si qeveri, presim që minimumi që mund të bëhet në këtë rast, nëse jo për arsye të tjera që janë të shumta, arsyet morale do të ishin një justifikim i mirë për dorëheqje të akademikut Bllazhe Ristevski", u shpreh Duraku. Nga ana tjetër, akademiku Bllazhe Ristevski, kryetar i këshillit redaktues të Enciklopedisë maqedonase, tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje. "Qeveria apo ndonjë parti politike nuk mund dhe nuk ka të drejtë të kërkojë çfarëdo dorëheqjeje nga unë. Nuk bëhet fjalë këtu për ndonjë instancë politike apo ku ta di çfarë; këtu bëhet fjalë për shkencë. Kjo do të thotë se mund të flasim vetëm me instancë shkencore". "Unë, asnjë organizate politike apo zëdhënësi qeverie nuk jam i obliguar t'i jap raport. Asnjëherë nuk kam punuar me instruksione nga askush, nuk dua as tash të veproj në bazë të instruksioneve të tilla", deklaroi Ristevski. Por, akademiku shqiptar, Ali Aliu, tha se tërheqja e Bllazhe Ristevskit nuk është vetëm kërkesë politike, por kërkesë edhe e shkencëtarëve shqiptarë, sepse, siç u shpreh Aliu, Enciklopedia e hartuar nga ai ka sjellë shumë të pavërteta dhe çdo prezencë e mëtejme e tij do t'i verifikonte ato. "Te ne nuk mund të vijë në konsiderim tashti përpilimi i Enciklopedisë së re, përsëri me Bllazhe Ristevksin", tha Aliu. Ndryshe, sot, kryetari i Akademisë së Shkencave, Georgi Stardellov, ka premtuar se së shpejti Akademia do të thërrasë mbledhje, ku do te diskutoheshin të gjitha zhvillimet rreth Enciklopedisë.