Moskë, 6 tetor NOA-Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka shprehur shqetësime, për siç ka thënë, "thirrjen e kryeministrit të Shqipërisë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve".
"Ne jemi të bindur se kjo deklaratë duhet të hasë në reagim të duhur, së pari nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
Nuk kemi dëgjuar një reagim të tillë", tha Lavrov pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç.
Agjencitë ruse të lajmeve gjithashtu citojnë Lavrovin të ketë thënë se "kompetencat e misionit të UNMIK-ut në Kosovë nuk do të duhej të zëvendësohen nga kompetencat e trupave tjerë ndërkombëtarë".
Ai ka thënë se Moska e sheh si "konsistent qëndrimin e Beogradit, i cili është parimor dhe njëherësh i hapur për kërkimin e marrëveshjeve të arsyeshme, që do t'ua lehtësonte jetën banorëve të enklavave serbe".
"Udhëheqësit e Prishtinës kanë marrë një rol jo konstruktiv kur e pengojnë koordinimin e marrëveshjeve të arsyeshme ndërmjet Beogradit dhe faktorëve ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë", ka thënë Lavrov.