Shkodër, 6 tetor, NOA - E ka mbajtur për nëntë muaj brenda trupit të saj, por momentin e fundit ka vendosur që ta braktisë.
17-vjeçarja duket se është penduar për "frutin" e dashurisë së saj dhe në pafuqi për t'iu nënshtruar fatit, ka zgjedhur rrugën e braktisjes të tij.
Kjo i ka ndodhur vajzës nga Shkodra, me inicialet G.G., për të cilën burimet policore i konfirmojnë agjencisë së Lajmeve NOA, se ka braktisur foshnjën e sapolindur me pelena pranë një kishe.
Bëhet e ditur ndër të tjera se foshnja është gjendur në lagjen "Bahçallëk" të qytetit të Shkodrës, konkretisht në oborrin e Kishës së Zojës, në vendin ku ndizen qirinjtë.
Pasi është gjetur nga një kalimtare që po kalonte aty pranë, ajo menjëherë ka lajmëruar forcat e policisë, të cilat kanë nisur punën për gjetjen dhe identifikimin e nënës së saj.
Pasi e ka identifikuar atë, policia materialet në ngarkim të saj, ia ka kaluar prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të "Braktisjes së fëmijëve të mitur".
Legjislacioni shqiptar nuk lejon marrdhënien seksuale nën moshën 18 vjeç. Me Kodin Penal marrëdhëniet nën këtë moshë, konsiderohen si vepër penale dhe dënohen deri në 10 vjet heqje lirie.
Pavarësisht nga ky fakt, si në zonat urbane, edhe në ato rurale, marrëdhëniet seksuale me të mitur, vazhdojnë të zgjerohen përditë e më shumë dhe rol të rëndësishëm këtu luajnë së pari mungesa e ndërgjegjësimit dhe zhvillimi i hovshëm fizik i femrave.
n.e/NOA