English

Falsifikimi i dokumenteve, ekzekutohet vendimi i gjykatës për 2 inxhinierë ndërtimi

Tiranë, 6 tetor NOA-Drejtoria e policisë së Qarkut të Tiranës, seksioni Kundër Korrupsionit pranë Sektorit Kundër Krimit Financiar, kanë ekzekutuar sot vendimet penale për dy shtetas të akuzuar për falsifikim të dokumenteve.

Sipas komunikatës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për shtetasin Leonard Gjergji nga Tirana, 57 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi u mor masa e sigurisë  "Arrest në shtëpi" për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve".

Po sot u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për shtetasin Pëllumb Ibrahim Çela, 56 - vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion Inxhinier, administrator pranë një kompanie private.

Çelës iu caktua masa e sigurimit personal me "Garanci pasurore" në shumën prej 2.500.000 lekësh, për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim" dhe të "Mashtrimit me pasoja të rënda".

Sipas burimeve të mësipërme, në sajë të një hetimi si dhe nga tërësia e akteve të administruara nga seksioni Kundër Korrupsionit, ka rezultuar se në vitin 2007 shtetasi Pëllumb Çela në bashkëpunim me shtetasin Leonard Gjergji, dyshohen se kanë falsifikuar për qëllime përfitimi, Aktin e Kolaudimit për të përfunduar pallatin nr.31 e ndodhur në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të personave të tjerë të implikuar.

Vendimet e Gjykatës, për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar.

Â

KOMENTE