Prishtinë, 6 tetor, NOA - Sapo ka mbërritur në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, kryeministri Sali Berisha, i pritur atje nga zv/kryeministri kosovar, Hajredin Kuçi dhe ambasadori shqiptar në Kosovë, Islam Lauka.
Burime pranë stafit që shoqëron kreun e qeverisë shqiptare gjatë vizitës së tij në Kosovë, konfirmojnë posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA, se ai sapo ka zbritur në aeroportin e Prishtinës, ku është pritur përmes një ceremonie të posaçme.
"Vij në Kosovë me kënaqësinë më të madhe", mësohet të jetë shprehur Berisha në fjalinë e tij të parë, sapo ka prekur tokën kosovare, në vizitën e tij të parë në këtë vend pas shpalljes së Pavarësisë.
Ndërkaq, bëhet e ditur se itinerari i ngjeshur i kryeministrit shqiptar, në kuadrin e vizitës së tij dy ditore në Kosovë, parashikon që ai të takohet me homologun e tij Hashim Thaçi, i cili ka organizuar për të një pritje ceremoniale.
Gjatë takimit të përbashkët, ata do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe që lidhen sidomos me lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve.
Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, në 11.30, Berisha dhe Thaçi kanë planifikuar të dalin në një konferencë për shtyp e cila do të transmetohet direkt nga RTK.
Ndërkaq, axhenda vijon pak minuta më vonë me një takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku Berisha pritet të marrë dhe dekoratën presidenciale dhe menjëherë më pas do të ketë një tjetër dalje publike në konferencë për shtyp të përbashkët me Sejdiun.
n.e/NOA