Tiranë, 6 tetor NOA - Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Filloreta Kodra ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka përshëndetur rritjen e pensioneve, pagave dhe skemën e re të ndihmës sociale të prezantuara nga qeveria e re.
"Strategjia e mbrojtjes sociale e prezantuar dje në parlament është shprehje e kujdesit për shtresat në nevoje, dhe masë me ndikim konkret në jetën e tyre. Rritja në vazhdimësi e pensioneve, ulja e moshës së pensionit për minatorët, përmirësimi i skemës së ndihmës ekonomike, janë elementë të qëndrueshëm për përmirësimin e nivelit të jetesës të qytetarëve që nuk kanë mundësi tjetër përveç ndihmës së shtetit" tha Kodra. Sipas saj, masat e marra nga qeveria shqiptare janë fillimi i ndryshimit rrënjësor në fushën e kujdesit social dhe trajtimit me përparësi të çështjeve më të prekshme për qytetarët shqiptarë, jetesën e tyre të përditshme. "Këto masa të qeverisë shqiptare janë një element shume i rëndësishëm i programit qeverisës të LSI, që ka në prioritetet e veta përmirësimin e kushteve të jetesës për moshën e tretë, tashmë pjesë e programit të përbashkët qeverisës ku përveç rritjes së pensionit parashikohet edhe shtimi i disa shërbimeve falas, si kujdesi e shërbimet shëndetësore, transporti urban e ndër urban falas, rimbursimet e ilaçeve etj. LSI do të vazhdojë të plotësojë me përkushtim angazhimet e detyrimet që ka marrë para elektoratit' përfundoi nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra.
k.k/NOA