Islamabad, 6 tetor, NOA - Ndërsa ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik, ka fajësuar militantët talibanë për sulmin vetëvrasës me bombë kundër zyrave të Agjencisë për Ushqim të Kombeve të Bashkuara në Islamabad, këta të fundit e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre.
''Kryerjen e këtij  krimi e marrim ne përsipër'', deklaroi Azam Tariç, zëdhënës i Lëvizjes së Talebanëve të Pakistanit (TTP), e cila ka premtuar besnikëri ndaj Al-Kaidës dhe është përgjegjësja kryesore e atentateve vetëvrasëse, ku si pasojë kanë humbur jetën rreth 2 150 persona.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik shtoi se talibanët e ndërmorën këtë sulm në shenjë hakmarrje për vrasjen e liderit të tyre, Baitullah Mesud, nga sulmi me aeroplani amerikan pa ekuipazh, më 5 gusht 2009. "Ne duhet të presim edhe më shumë sulme", u tha ministri Malik gazetarëve në Islamabad.
Nga sulmi i fuqishëm vetëvrasës, i shkaktuar dje në orët e para të mëngjesit në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, kanë mbetur të vrarë tre persona, në mesin e të cilëve dhe një shtetas i huaj.
Por policia vendase bën me dijeni se të shumtë kanë qenë edhe personat e lënduar nga ky sulm vetëvrasës në godinën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin pakistanez.
n.e/NOA
Â