English

Vigjilje e edicionit 2009, të Festivalit Italian në Shqipëri

Tiranë, 6 Tetor NOA - Nga data 20 tetor deri më 6 nëntor, për më shumë se dy javë, do të zhvillohen në Tiranë dhe Shkodër, veprimtaritë promovuese të Festivalit Italian në Shqipëri.

Teknologji dhe novacion në një sërë veprimtarish me synim promovimin e produkteve Made in Italy, organizuar nga ICE Tirana, (Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme).

Organizimi i këtyre veprimtarive ka si qëllim shtrirjen dhe rritjen e prezencës së produkteve italiane në tregun shqiptar.

ICE Tirana, siç ka konfirmuar drejtori i saj, Francesco Vitulli ka krijuar një përvojë në promovimin e Made in Italy duke gjetur një bashkëpunim me përfaqësues të rëndësishëm të kompanive italiane në tregun shqiptar si CONAD, BIG Market, BES Italia, si dhe një sërë kompanish të tjera, prodhuese dhe tregtuese që janë prezente apo do të orientohen për t'u bërë pjesë e tregut në Shqipëri.

Në datat 2 dhe 3 nëntor, në Grand Hotel Europa në Shkodër dhe Casa Italia në Tiranë, do të tubohen përfaqësues të biznesit për të shijuar por edhe mësuar nga recetat e kuzhinës së famshme italiane.

Mjeshtra të kuzhinës italiane të njohur në vendin përtej Adriatkut, do të jenë të pranishëm në këto mbrëmje për të sjellë artin e kulinarisë italiane që mund të shërbejë si përvojë e vyer për kuzhinën e restoranteve në vendin tonë.

Nën kujdesin e ICE Tirana, do të publikohet edhe një libër i artit të kuzhinës italiane, si një instrument në duart, jo vetëm të mjeshtrave të kuzhinës në restorantet e vendit tonë por edhe për të gjitha amvisat shqiptare.

Në datat 4-5-6 nëntor, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ICE Tirana në bashkëpunim me BES Albania, do të promovojnë edhe produktet e kozmetikës italiane si dhe veshjet matrimoniale, veçanërisht ato të nusërisë.

Veprimtaria do të kulmojë me një show të stilistit të famshëm italian Saverio Palma, prezenca e të cilit përbën lajm në të gjitha kontinentet.

Gjithnjë sipas z. Vitulli, Shqipëria përherë dhe më shumë përbën një treg potencial dhe shans në rritje për investitorët italianë dhe produktet Made in Italy.

e.r/NOA

KOMENTE