Durrës, 7 tetor, NOA - Njëra tutore dhe tjetra prostitutë me pagesë. Kjo ka qenë skema e formuar nga dy femra, njëra që siguronte klientët dhe tjetra që shfrytëzohej prej tyre, në këmbim të parave.
Që të dyja janë zbuluar nga forcat e policisë së Durrësit të cilat i kanë arrestuar në flagrancë në një hotel të këtij qyteti duke ushtruar veprën penale të prostitucionit.
Burimet policore bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se dy të ndaluarat janë 50-vjeçarja SH.P., lindur në Kryezi të Kavajës dhe banuese në Sukth të Durrësit, si edhe 26-vjeçarja L.SH., lindur dhe banuese në Prishtinë të Kosovës.
Arrestimi tyre u bë pasi kosovarja 26-vjeçare u kap në hotel "Iliria" të Durrësit duke ushtruar prostitucion me B.I. nga Sukthi, kundrejt fitimit të 2000 lekëve.
Kjo vajzë shfrytëzohej për qëllime fitimi nga 50-vjeçarja SH.P, pasi kjo e fundit i siguronte klientë dhe fitimet i ndanin së bashku.
Materialet do t'i kalojnë prokurorisë për veprat penale të "Shfrytëzim të prostitucionit", në ngarkim të SH.P dhe "Prostitucion", të parashikuar nga nenet 114 dhe 113 të Kodit Penal për kosovaren.
n.e/NOA