Golem, 7 tetor, NOA Update - Një grup i Antiterrorit ka shkuar menjëherë në vendin e shpërthimit të mëngjesit të sotëm, në Golem, aty ky mbetën të plagosur 5 nxënës nga Kosova, të akomoduar në mjediset e një hoteli.
Korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA, i cili ndodhet në vendngjarje, raporton se aty tashmë kanë mbërritur forca të Antiterrorit të Policisë të Shtetit dhe drejtorisë rajonale të Policisë së Durrësit, të cilat do të marrin nën hetim situatën dhe do të përpiqen të nxjerrin shkaqet e vërteta që shkaktuan shpërthimin e ndërtesës hoteliere 5-katëshe.
Ndërkaq, të dhënat e tjera shtesë lidhur me ngjarjen tregojnë se 60 nxënësit kosovarë kanë qenë nga Gjilani dhe ata kishin ardhur për ekskursion në Durrës, por shembja në dy dhomat e hotelit ku ata ishin vendosur, duke se e ka prishur rrjedhën e tij normale.
Dy hipotezat e para që ka ngritur policia deri tani janë shpërthimi i boljerit të dushit në një nga dhomat e hotelit, si edhe ajo e një shpërthimi të mundshëm gazi.
Nga ana e tyre, mjekët e spitalit të Durrësit bëjnë me dijeni se nga 5 nxënësit e paraqitur për ndihmën e parë pranë tyre, 4 janë larguar, ndërsa vetëm një vajzë rezulton me lëndime më të rënda siç ka qenë një goditje në kavilje apo edhe në këmbë, por gjithsesi, rezulton jashtë rrezikut për jetën.
n.e/NOA