Tiranë, 7 tetor NOA - Katër Parti Politike të Qendrës së Djathtë kërkuan hapjen e kutive ndërsa mbështetën bojkotin e opozitës.
Përfaqësuesit e katër partive politike të djathta dhe të qendrës së djathtë, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Partia e Bashkimit Demokrat u mblodhën sot në selinë e PDK-së dhe analizuan situatën e rëndë politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve sipas tyre të deformuara të 28 qershorit.
Përfaqësuesit e katër partive politike vlerësuan se në zgjedhjet e 28 qershorit u goditën rëndë standardet demokratike dhe pluralizmi politik, liritë politike të qytetarëve dhe perspektiva Evropiane e Shqipërisë.
Katër partitë politike e konsideruan këtë një situatë shumë të rendë dhe vlerësuan se zbardhja e manipulimeve dhe deformimeve të zgjedhjeve të 28 qershorit është vendimtare për të ardhmen e demokracisë në vend.
Ata kërkuan hapjen e kutive dhe rinumrimin e votave në qarqet e kontestuara, si një e drejtë legjitime e qytetarëve shqiptarë dhe si një kusht për të mbyllur kapitullin e errët të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Ata vlerësuan si të drejtë kërkesën e opozitës për rinumrimin e votave dhe protestat e saj për transparencën e procesit zgjedhor te 28 qershorit.
Gjithashtu mbështetën bojkotimin e Parlamentit nga deputetët e opozitës deri në plotësimin e kërkesave të drejta për hapjen e kutive dhe rinumrimin e votave ne qarqet e kontestuara.
Përfaqësuesit e katër partive politike hodhën idenë e rigrupimit të partive opozitare të qendrës së djathtë në një organizëm të përbashkët politik.
Ata vlerësuan domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave jetike për vendin dhe në veçanti theksuan domosdoshmërinë e rishikimit dhe reformimit të Kodit Zgjedhor.
k.k/NOA
Â