English

PS, Dade: Do të përshkallëzojmë luftën politike për të mbrojtur votën e lirë

Tiranë, 7 tetor NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i ka kërkuar Sali Berishës të lërë thirrjet e pasinqerta për bashkëpunim me PS-së por të përmbushë kushtet e opozitës që ajo të marrë pjesë në Kuvend.

"I kujtojmë Sali Berishës dhe opinionit publik që Partia Socialiste u angazhua seriozisht për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e 28 qershorit. Për fat të keq strukturat e komanduara nga Sali Berisha shkelën nenin e rëndësishëm të Kodit Zgjedhor për rinumërim të votave në rastet kur kjo kërkohet nga dy anëtarë të KQZ-së.

Në mbrojtje të demokracisë Partia Socialiste do të përshkallëzojë luftën e saj politike duke nisur me mitingun e datës 10 tetor, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që gjykojnë se është cenuar themeli i demokracisë-zgjedhjet e lira dhe të ndershme" tha Dade.

Sipas saj, shqiptarët janë po aq dinjitozë sa të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-së dhe ky dinjitet manifestohet edhe në mbrojtje të votës së lirë dhe denoncimit një pushteti të dalë nga vjedhja dhe shtrembërimi i vullnetit të lirë të votuesve.

"Partia Socialiste do të jetë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë të veçantë me Bashkimin Evropian që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, proces ky i vonuar nga mungesa, jo vetëm e vullnetit politik të Sali Berishës, por edhe angazhimit të qeverisë së tij për përmbushjen e kushteve.

Vlerësojmë vëmendjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian ndaj liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, si dy vende të mbetura të fundit në këtë proces" përfundoi Dade.

k.k/NOA

KOMENTE