Romë, 7 tetor NOA-Gjykata më e lartë italiane vendosi sot se një ligj, që i jepte kryeministrit Silvio Berlusconi imunitetin nga hetimi, shkel kushtetutën, sipas agjencisë italiane të lajmeve, ANSA.
Verdikti nga Gjykata Kushtetuese, nëse konfirmohet, mund të rihapë proceset gjyqësore kundër tij si edhe të rrezikojë qeverinë 17-mujore italiane të qendrës së djathtë.Pesëmbëdhjetë gjykatësit vlerësuan se ishte i nevojshëm një ligj kushtetues dhe jo një ligj i zakonshëm për t'u dhënë imunitet penal katër funksionarëve të lartë të shtetit italian, ndër të cilët kryeministri. Ata vlerësuan gjithashtu se ligji Alfano, sipas emrit të ministrit të Drejtësisë që e paraqiti në korrik 2008, shkelte parimin kushtetues të barazisë së qytetarëve para ligjit. Ky vendim ka si efekt të menjëhershëm rifillimin e dy proceseve kundër Silvio Berlusconit : një për korruptim dëshmitari (çështja Mills) dhe tjetri për mbifaturime të të drejtave të emisioneve televizive nga grupi Mediaset, që është pronë e tij.