Golem, 7 tetor, NOA - Ndërsa ishin duke fjetur gjumë, hoteli ku ishin akomoduar është tronditur dhe pesë prej tyre e kanë gjetur veten të plagosur. Kjo u ka ndodhur 60 nxënësve nga Kosova mëngjesin e sotëm në mjediset e hotel "Elisios" në zonën e Golemit, konkretisht në kompleksin e ashtuquajtur "Pishat e buta".
Sipas të dhënave paraprake policore nga vendngjarja për agjencinë e Lajmeve NOA, bëhet fjalë për një shembje të ballkonit të ndërtesës 4-katëshe, e cila shërbente si hotel, e cila ka shkaktuar edhe shembjen e pjesshme të saj.
Të dhënat e para bëjnë të ditur se nga shembja e ndërtesës janë plagosur 5 nxënës kosovarë, pjesë e një grupit prej 60 nxënësish të cilët ndodheshin për ekskursion në Shqipëri.
Ata ishin akomoduar në mjediset e këtij hoteli që ditën e dielë dhe tashmë të plagosurit janë dërguar menjëherë prej tij në spital, ku edhe po mjekohen për lëndimet e marra.
Mjekët thonë se kanë pësuar fraktura në trup por janë jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihet shkaku i shembjes së pjesshme të hotelit, ndërsa forca të shumta të policisë dhe ekspertë të hetimit ndodhen në vendngjarje për të mësuar shkaqet si dhe për të evidentuar përgjegjësit e kësaj shembje, e cila rrezikoi jetën e fëmijëve.
n.e/NOA