English

Topi dekoron me "Medaljen e Mirënjohjes", kreun e Fondit Shqiptaro-Amerikan

Tiranë, 7 tetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim të shkurtër Majkëll Granof, Drejtuesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes.

Gjatë këtij takimi presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rolin vendimtar dhe mbështetjen institucionale të SHBA-së për zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimin dhe mirënjohjen për punën dhe aktivitetin e Fondit Shqiptaro-Amerikan në nxitjen e projekteve dhe investimeve amerikane për zhvillimin e biznesit dhe rritjes ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por në planin më të gjerë rajonal.

Menjëherë pas takimit, Presidenti Topi dekoroi me "Medaljen e Mirënjohjes" Xhefri T. Grifin, Presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes dhe ish-presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri në një ceremoni zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Presidencë, ku ishin të pranishëm Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon, L. Uithers, Ambasadorja franceze, Mariz Davje , Drejtorja e USAID-it, Roberta Mahoni, deputetë, drejtues të bordit dhe anëtarë të Fondit Amerikan si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe dekretit përkatës nga Këshilltari Juridik i Institucionit të Presidentit, Artur Metani, në shenjë respekti dhe nderimi për punën e palodhur dhe kontributin e rëndësishëm në mbështetje të transformimeve progresive të ekonomisë shqiptare si një ekonomi tregu dhe ndihmën e dhënë njerëzve në nevojë, Presidenti Topi i dorëzoi z. Grifin medaljen e lartë, duke i shprehu njëkohësisht urime dhe suksese në punën e tij në vijim. Nga ana e tij, z. Grifin në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: "Po e marr këtë medalje me shumë respekt dhe mirënjohje dhe po e pranoj në emër edhe të stafit tim të vjetër, të stafit të ri, natyrisht edhe të bashkëshortes time.

Siç e dini puna që kemi bërë deri tani ka qenë shumë e madhe, po kemi përpara edhe një punë shumë më të madhe dhe sot ne kemi arritur që të themelojmë Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Presim me padurim, dhe të gjithë ne presim këtë gjë, që të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe me ju".

k.k/NOA

KOMENTE