English

Berisha dhe ndarja e politikanit të arsyeshëm nga lideri emocional

Sali Berisha nuk mund të përcaktojë vëllazërinë (sepse edhe vëllezërit jetojnë të ndarë), por t'i tregojë prioritetet që projekti i tij i unifikimit, larg patetizmave, u ofron shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë, ideja e tij për të qenë Një nuk ngarkohet me keqkuptime, nuk i krijon atij vetë ngërç politik dhe i bën njerëzit të gjykojnë me arsye dhe jo me emocione

Nga Armand Shkullaku*

Sali Berisha duhet ta ketë përfytyruar disa herë në Tiranë pritjen që do t'i rezervonin atij kosovarët në vizitën e parë si Kryeministër në Kosovën e pavarur. E megjithëse nuk ka patur dyshime në entuziazmin e tyre, ai nuk ka mundur t'u shpëtojë emocioneve për asnjë çast të vetëm, madje as lotëve, që kur zbriti në Sllatinë e deri dje pasdite kur mori rrugën e kthimit nga Morina. Kryeministri i Shqipërisë dukej i prekur nga krejt atmosfera që përcolli vizitën e tij në Kosovë, nga flamujt, himni kombëtar, nga pritja në Kuvendin e Kosovës, ceremonia në Universitetin e Prishtinës dhe qindra njerëz që e përshëndesnin në rrugë. Shpeshherë fjalët e tij devijuan nga teksti i shkruar, zëri iu drodh nga emocionet, sytë iu përlotën dhe mesazhet i kumtoi thuajse i ekzaltuar. Kjo ishte ana njerëzore e vizitës dyditore të Sali Berishës në Kosovë. Politikisht, Kryeministri shqiptar pati të tjera vështirësi. I ndodhur në një atmosferë të tillë emocionuese, ai nuk e pati të lehtë të sillej politikisht korrekt. Sali Berisha erdhi në Prishtinë i shoqëruar nga zhurma, e shumëfishuar edhe abuzivisht, e një interviste të dhënë disa kohë më parë në Klan Kosova, ku shpalli idenë e tij se shqiptarët duhet të ndihen Një në të dyja anët e kufirit.

Jo thjesht reagimi i Beogradit dhe i Moskës, por më shumë sinjalet e ndonjë zyre europiane, madje dhe zëra në Kosovë, ishin sinjale për Berishën për të qenë më i përmbajtur në këtë vizitë.

I vetëdijshëm se në një situatë të ndezur, për më tepër gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, mesazhet e tij mund të provokonin tensionim të panevojshëm për vetë Kosovën, Sali Berisha u përpoq të ishte më i kujdesshëm dhe më i moderuar.

Ai nuk e përsëriti frazën e famshme të përurimit të tunelit të Kalimashit, se nuk ka mal dhe pengesë tjetër që t'i ndajë shqiptarët. Ai nuk ua kumtoi politikanëve të Kosovës mesazhin se të gjithë duhet të punojnë për bashkimin e kombit.

I kapur në ngërç, mes asaj që do të dëshironte të thoshte dhe asaj që i duhej të thoshte, Berisha sajoi një kumt evaziv, gati kontradiktor, që ndoshta nuk ishte i nevojshëm. Kryeministri shqiptar foli për dy vende të ndryshme që do të duhet të bashkohen në Europë. Ai përdori madje një terminologji të vjetruar (dikur në Shqipëri përdorej rëndom për kinezët) për të thënë se shqiptarët dhe kosovarët janë vëllezër. E ndërsa bënte një përcaktim të tillë, menjëherë shtonte se shqiptarët janë një komb, me një shpirt dhe me një identitet. Por, kontradiktor, përsëri nxitonte të justifikohej se nuk janë vetëm shqiptarët që kanë të drejtë të ndihen të tillë, por janë edhe serbët, edhe kroatët... Nuk është e lehtë të jesh në përgjegjësinë e një burri shteti dhe të kontrollosh çdo frazë kundrejt emocioneve të forta. Sali Berisha kishte vetëm një mundësi për ta bërë këtë. Ai duhej të zhvishej nga roli i misionarit, nga figura e liderit të kombit që jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe disa media ia falën me shumicë. Ai, ashtu siç pati deklaruar më parë në Shqipëri, do të duhej të vinte në Kosovë me idenë e tij të qartë dhe të thjeshtë të bashkimit të kombit. Jo të bashkimit si akt formal, emocional, epik e historik, por të bashkimit si akt pragmatik, ekonomik, si interes i të dyja palëve.

Sali Berisha, si Kryeministër i Shqipërisë, ka detyrë në radhë të parë sigurimin dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët shqiptarë dhe nëse projekti i tij i të qenit Një me Kosovën, i unfikimit të taksave, doganave, lehtësive në qarkullim, etj., i shërben kësaj mirëqenie, ai duhet të punojë për të, pa patur kurrfarë kompleksi. Kjo është më e lehtë për t'u bërë duke menduar si kryeministër dhe jo si lider i kombit. Sali Berisha nuk mund të përcaktojë vëllazërinë (sepse edhe vëllezërit jetojnë të ndarë), por t'i tregojë prioritetet që projekti i tij i unifikimit, larg patetizmave, u ofron shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë, ideja e tij për të qenë Një nuk ngarkohet me keqkuptime, nuk i krijon atij vetë ngërç politik dhe i bën njerëzit të gjykojnë me arsye dhe jo me emocione.

Nëse shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë mendojnë se kanë më interes të jenë të unifikuar ekonomikisht, kulturalisht, pse jo dhe politikisht, atëherë liderët e tyre e kanë detyrim t'i përgjigjen kësaj aspirate.

Nëse ata nuk shohin asnjë të mirë nga një iniciativë e tillë, edhe politika duhet të jetë realiste dhe t'i kyçë në sirtar diskurset e bashkimit. Nëse bashkimi përdoret si retorikë nacional- romantike dhe jo si projekt konkret që mund t'iu interesojë dy palëve, atëherë ai do të provokojë gjithnjë ndjeshmëri negative. Gjatë vizitës në Kosovë, Sali Berisha e kishte mundësinë ta ndante politikanin e arsyeshëm nga lideri emocional. Ai mund të kishte shpalosur projektin e tij të unifikimit dhe të kërkonte që dobia e tij për shqiptarët të shqyrtohej edhe nga homologu kosovar, Hashim Thaçi. Këtë mund ta kishte bërë në takimin me të, ndërsa për vëllazërinë, shpirtin dhe identitetin, kishte sallën e Universitetit. Sigurisht, nuk është aq e thjeshtë për t'i ndarë si me thikë gjërat e tilla, për më tepër kur është fjala për Sali Berishën dhe Kosovën. Por, kjo ndarje do të duhej të bënte dallimin mes politikanit modern dhe atij të shkuar. Ajo do të bënte gjithashtu që Sali Berisha të sillej e të fliste pa asnjë lloj kompleksi për idetë e tij, sa herë të vinte në Kosovë.Â

Marrë nga "Express", Prishtinë (Titulli i origjinalit: Jemi Një apo vëllezër?)/ Foto: NOA/LSA

KOMENTE