English

Berisha i dërgon mesazh urimi homologut të ri të Greqisë

Tiranë, 8 tetor NOA- Kryeministri, Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi Kryeministrit të ri të Greqisë, Jorgos Papandreu me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

 "I nderuar Z. Kryeministër, kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër të Greqisë, t'ju përcjell, në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore, për suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara.

Jam i bindur se me vizionin dhe platformën tuaj politike, do t'i ofroni vendit alternativën më efikase për përballimin e sfidave, me të cilat ai përballet, dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të tij, në të mirë të jetës e begatisë së qytetarëve të vendit tuaj" thuhej në mesazhin që Berisha i dërgoi homologut të tij të Greqisë.

"Marrëdhëniet politike të dy qeverive dhe vendeve tona janë të shkëlqyera, sepse ato janë ndërtuar mbi ndjenjat e miqësisë tradicionale ndërmjet dy popujve tanë fqinj e miq. Mbështetja që Greqia i ka dhënë, në mënyrë të vazhdueshme, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesit të integrimit ne Bashkimin Evropian, është shprehje e shkëlqyer e këtyre ndjenjave dhe e solidaritetit ndërmjet dy vendeve tona e popujve tanë" thuhej më tej në mesazhin e Berishës drejtuar Papandreut.

k.k/NOA

KOMENTE