Shkup, 8 tetor NOA - Demokracia e Re, përshëndeti sot, atë që e quajti hapin e parë konkret të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë për shpërbërjen e këshillit redaktues të Enciklopedisë në Krye me Bllazhe Ristevskin.
Por Demokracia e Re, konsideron se ky veprim nuk është i mjaftueshëm për të korrigjuar nënçmimin, ofendimin dhe prekjen e ndjenjave shpirtërore që iu bë shqiptarëve por njëherësh edhe nënçmimin që iu bë miqve tanë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
"Ne kërkojmë veprim të menjëhershëm të ASHAM-it, për të tërheqë totalisht Enciklopedinë nga përdorimi dhe të shpallë këtë pseudoenciklopedi të pavlefshme dhe me atë t'i japë fund prishjes së raporteve ndëretnike në vend por edhe prishjes së raporteve me fqinjët, aleatët dhe miqtë tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe", - thuhet në deklaratën e Demokracisë së Re që transmetoi për mediat, zëdhënësi Arjanit Hoxha.
Sipas saj, çdo korrigjim mbi këtë botim të Enciklopedisë nuk do të jetë asgjë tjetër përveç një dështim i radhës dhe i plotë i ASHAM dhe financuesve të tyre, Qeverisë të Maqedonisë, pasi që kjo Enciklopedi do të mbetet çdoherë mollë sherri dhe njollë për raportet ndëretnike në Maqedoni por edhe në raportet me përkrahësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Maqedonisë.
Në fund të deklaratës, Demokracia e Re shtron edhe pyetjen për Qeverinë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë: "Kush do të mbajë përgjegjësi politike për dëmin që u bë me financimin dhe botimin e këtij libri me përmbajtje antishqiptare dhe antishtetërore?".
a.b/e.r/NOA