English

Deputetët e PS: Po shkatërrohet pasuria kombëtare e vendit

Tiranë, 8 tetor NOA - Deputetë të Tiranës së Partisë Socialiste, pedagogë të shkencave të natyrës, drejtues të Muzeut të Shkencave dhe përfaqësues të të rinjve janë tubuar para muzeut të Shkencave të Natyrës në shenjë proteste ndaj largimit të objekteve me vlera të mëdha shkencore nga godina e cila sipas një vendimi të gjykatës i kthehet pronarit.

Deputeti i PS i zgjedhur në qytetin e Tiranës, Eduart Shalsi u shpreh se qëndrimi i tij nuk është kundër pronarëve, por kundër qeverisë e cila është tejet indiferente për të gjetur një zgjidhje të pranueshme edhe për pronarët.

"Është e trishtueshme të jesh dëshmitar i zhdukjes së muzeut të shkencave të natyrës, kësaj pasurie kombëtare, të ngritur me mundin, përkushtimin, pasionin, sakrificat e profesorëve dhe punonjësve të tij të palodhur dhe që ka shërbyer si një vatër edukuese për breza të tërë.

Nuk kemi gjë me pronarët, por me qeverinë, e cila me indiferencën, mospërfilljen, papërgjegjshmërinë, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk është kujdesur aspak, të gjejë një zgjidhje për këtë muze.

Po çfarë mund të presin qytetarët prej kësaj qeverie shpërfillëse ndaj vlerave të krijuara?! Çfarë vlerash të reja mund të krijojë kjo qeveri që nuk arrin të mbrojë ato ekzistuese?! Ç'mund të presësh nga kjo qeveri që i ka blatuar vetes, merita të paqena në tekste librash historie....?! nga një qeveri që vendin më të përshtatshëm, do ta kishte në muze!" tha Shalsi.Â

Ndërsa deputeti tjetër i PS, Besnik Baraj theksoi se kjo qeveri ka vendosur ta flakë në rrugë gjithë pasurinë kombëtare të vendit.

"Para 4 muajsh në këtë mjedis ne i kemi bërë një apel Presidentit të Republikës, i cili ka dalë nga këto mjedise akademike dhe normalisht duhet të ketë sensibilitete të larta për të mbrojtur këtë pasuri.

Kjo pasuri është mëse 100 vjeçare dhe i kapërcen edhe kufijtë e Shqipërisë, mirëpo përballë babëzisë së qeverisë për të shkatërruar dhe për ta kthyer në vlerë monetare gjithçka, ne jemi këtu në këtë gjendje. Në vend që qeveria të mendonte për rehabilitimin, për rikonstruksionin e kësaj godine, ku ka vlerë shkencore dhe edukative, ne vijmë këtu për ta mbrojtur këtë, sepse sot qeveria shqiptare ka vendosur që kjo pasuri kombëtare të flaket në rrugë dhe ne i bëjmë apel Presidentit, Kryeministrit Berisha që të marrë në mbrojtje këtë pasuri kombëtare, e cila edhe kur kanë ardhur pushtuesit në Shqipëri nuk e kanë shkatërruar" tha Baraj.

k.k/NOA

Â

KOMENTE