Tiranë, 8 tetor NOA - Një sherr i hershëm banal do të përfundonte në tragjedi, nëse policia nuk do të kishte diktuar 18-vjeçarin të mbante një pistoletë me vete ndërsa ishte nisur për të kryer vrasjen.
Burime nga policia thanë se ditën e djeshme kapën në ambientet e spitalit "Nënë Tereza" në Tiranë 18-vjeçarin Emiljano Hajdari lindur në Shkodër e banues në Tiranë, pasi posedonte një armë zjarri pistoletë dhe dy krehra me 14 copë fishek pa leje.
Menjëherë u krye arrestimi i tij ndërsa para oficerëve të policisë kriminale ai ka rrëfyer arsyen që ishte armatosur.
Burimet policore thanë për agjencinë e lajmeve NOA se adoleshenti e kishte siguruar pistoletën nga një i afërm i tij, dhe kishte për synim për të nise në qytetin e Beratit, me qëllim për të vrarë me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta, një shtetas.
Por ndërhyrja e policisë duket se i ka shpëtuar jetën djalit nga Berati ndërsa ka çuar në qeli 18-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma dhe fishekët dhe u dërguan në laborator për ekzaminime të mëtejshme.
k.k/NOA