Kabul, 8 tetor, NOA - Janë mbushur plot tetë vjet qëkur forcat ushtarake ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara realizuan një ndërhyrje ushtarake në Afganistan, në emër të çlirimit të këtij vendi nga forcat terroriste dhe diktatoriale.
"Ne nuk do të lëkundemi, nuk do të lodhemi, nuk do të hezitojmë. Dhe ne nuk do të dështojmë", kujtojmë deklaratën e guximshme të ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush, kur deklaroi zyrtarisht fillimin e luftës në Afganistan tetë vjet më parë.
Ndërhyrja në Afganistan erdhi pas disa negociatave të dështuara mes autoriteteve talebane dhe zyrtarëve të SHBA, të cilët u kërkuan udhëheqësve të atëhershëm afgan të dorëzonin krerët e AL Kaedas.
Por duket se gjërat kanë ndryshuar që atëherë dhe këtë e tregon më së miri fakti që ky përvjetor u prit jo vetëm me mjaft protesta nga kundështuesit e këtij konflikti ushtarak, por edhe nga vetë strategët e tij, të cilët mndojnë se ka mbërritur koha për një ndryshim të strategjisë së përdorur në Irak nga ndërkombëtarët.
Duke e lidhur tashmë situatën e Afganistanit me atë të trazuar të Pakistanit, të gjithë janë të mendimit se ka nevojë për ndryshim strategjie, e cila ka të bëjë direkt me pakësimin ose shtimin e trupave ushtarake atje.
I këtij mendimi është shprehur vetë presidenti amerikan Obama, por edhe shefi i Përgjithshëm i NATOS-s, Rasmussen kohët e fundit.
Nga ana tjetër, me mijëra manifestues kanë protestuar në qendër të Uashigtonit duke kundërshtuar vazhdimin e misionit ushtarak në Afganistan si edhe duke kërkuar rikthimin e trupave amerikane në atdhe.
Manifestuesit të cilët ishin pjesë e një organizate të vetëquajtur "Studentët për një shoqëri demokratike" u përplasen me forcat policore të cilat nuk i lejuan protestuesit t'i afroheshin pallatit kryesor të zyrave në Uashington.
Në Afganistan ndodhen realisht afërsisht 100 mijë trupa, ku rreth dy e treta e tyre janë forca amerikane.
n.e/NOA