English

Obama, Plani B për Afganistanin

Plani B i Shtëpisë së Bardhë ndoshta edhe mund të refuzojë kërkesën e gjeneralit Mekristall për trupa shtesë. Në vend të kësaj, mund të dalë ideja për ndërtimin e armatës afgane, në mënyrë që ajo t'i marrë përsipër luftimet, ndërsa veprimet e Shteteve të Bashkuara të fokusohen në mundjen e Al Kaidës në Pakistan

Editoriali i sotëm i "Washington Post" Presidenti Barak Obama nisi takimet për rishikimin e strategjisë në Afganistan, duke parashtruar pyetjen në televizionin kombëtar nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin qeverinë dhe armatën afgane. Por, alternativat që po i shqyrton presidenti, duket se nuk dallojnë shumë nga plani i gjeneralit Stenli Mekristall. Zoti Obama u tha të martën udhëheqësve në Kongres se ai nuk ka ndërmend ta reduktojë nivelin e trupave amerikane ose t'i kufizojë sulmet me aeroplanë pa pilot ndaj Al Kaidës. Madje, sipas këshilltarit të tij për siguri kombëtare, nuk do të heqë dorë as nga ndërtimi i qeverisë dhe armatës afgane. Plani B i Shtëpisë së Bardhë ndoshta edhe mund të refuzojë kërkesën e gjeneralit Mekristall për trupa shtesë. Në vend të kësaj, mund të dalë ideja për ndërtimin e armatës afgane, në mënyrë që ajo t'i marrë përsipër luftimet, ndërsa veprimet e Shteteve të Bashkuara të fokusohen në mundjen e Al Kaidës në Pakistan. Por, një vendim i tillë mund t'i përsëriste gabimet e administratës Bush, gabime të cilat e lanë administratën e re me ngatërresat që po përballet në Afganistan, kurse tre vjet më parë Irakun e sollën buzë katastrofës. Në Irak, zoti Bush dhe sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, gjithashtu vendosën ta minimizojnë nivelin e trupave amerikane. Ata ndërmorën një përpjekje ambicioze për të stërvitur trupat e reja irakiane, duke vënë theksin në sulmet kundër Al Kaidës dhe liderëve të kryengritjes. Por, forcat e freskëta të Irakut nuk mundën ta bëjnë punën vet. Kryengritja u fuqizua edhe më shumë, ndërsa konfliktet sektare shpërthyen në Bagdad dhe zona të tjera. Vetëm kur zoti Bush i shtoi trupat, spiralja e dhunës mori tatëpjetën. Komandantët amerikanë e nxorën mësimin, prandaj kjo është arsyeja që gjenerali Mekristall dhe pothuaj çdo komandant tjetër amerikan në rajon e favorizon modelin e shtimit të trupave edhe në Afganistan. Në rishikimin e fundit për situatën në Afganistan, gjenerali Mekristall konkludoi se "dështimi në marrjen e iniciativës dhe rikthimin e trajektores së kryengritjes, rrezikon të ketë një epilog ku më nuk do të ishte e mundur disfata e kryengritjes". Duket se zoti Obama fillimisht kishte dilema nëse duhet të mundën talibanët. Por, duke vendosur që ta mbajë nivelin e trupave siç është, ai e zgjodhi vazhdimin e luftës. Pyetja që kërkon përgjigje është se a thua zoti Obama do të parapëlqejë rrezikun e disfatës, të cilin e nënvizoi gjenerali, në kurriz të shpenzimeve për dërgimin e mijëra forcave tjera amerikane.Â

KOMENTE