Tiranë, 8 tetor NOA - Policia rrugore ka ndëshkuar ditën e djeshme jo pak por 414 shoferë të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundravajtjet administrative duke u bllokuar atyre lejet e qarkullimit.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se rrugorët do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Gjithashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Kështu, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë vendosur në total 1566 gjoba me vlerë 1. 925 000 lekë ndërsa janë pezulluar 6 leje drejtimi.
k.k/NOA